Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Përmes një komunikate, Këshilli është shprehur se bisedimet duhet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë.
“Kjo, jo vetëm që do ishte në interesin më të mirë të të dyja vendeve, por do ishte një hap i madh drejt forcimit të paqes, stabilitetit dhe perspektivës Euro-Atlanike të rajonit tonë”, thuhet aty.
KASH-i i ka dërguar porosi edhe emisarit special për dialogun, Miroslav Lajçakut, duke e inkurajuar që në këtë proces “të vijojë të udhëhiqet nga parimet mbi të cilat është ndërtuar dialogu duke ushtruar vetëpërmbajtje prej qëndrimeve emocionale të padobishme”.
Nga ana tjetër, kanë inkurajuar edhe përfaqësuesit e Kosovës dhe forcat politike që të angazhohen me profesionalizëm në bisedimet.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë është pandashmërisht i lidhur me garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet, respektimin e parimeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut si dhe mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së pakicave etnike”, thuhet në komunikatë.
Këshilli ka theksuar rëndësinë e liberalizimit sa më parë të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, tashmë kur të gjitha kushtet janë përmbushur prej kohësh.
“E ardhmja e Republikës sȅ Kosovës është nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s dhe vlerat Euro-Atlantike janë të mishëruara thellë në themelin shtetit të Kosovës”, përfundon komunikata.