Australia ka paraqitur zyrtarisht një ankesë kundër Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) mbi tarifat e vendosura nga Pekini mbi verërat australiane, njoftoi sot qeveria.
“Kjo ankesë u bë pas bisedimeve intensive me prodhuesit australianë të verës”, theksoi qeveria, e cila u shpreh e hapur për negociata të drejtpërdrejta me Kinën për zgjidhjen e këtij problemi.
Kjo masë është një etapë tjetër në konfliktin tregtar mes Australisë dhe partnerit kryesor tregtar dhe ndodh pas paralajmërimeve të kryeministrit, Scott Morrison mbi vullnetin e qeverisë për t’iu përgjigjur të gjtiha vendeve që përpiqen të përdorin “detyrimin ekonomik” kundër tij.
Kjo vjen gjithashtu pas një samiti të shtatë vendeve më të industrializuara, G7, në Britaninë e Madhe ku Australia bëri thirrje për një qëndrim më të fortë ndaj praktikave tregtare të Kinës.
Pekini ka vendosur sanksione ekonomike për një sërë prodhimesh australiane gjatë muajve të fundit, përfshirë tarifat doganore për prodhimet bujqësore, karbonin apo verërat si dhe masa që prekin turizmin.
Këto masa kanë mbyllur tregun më të madh ndërkombëtar për verërat australiane, me shitje që arrijnë nga 1,1 miliardë dollarë australianë (840 milionë dollarë amerikanë) në 20 milionë dollarë australianë, sipas shifrave zyrtare.
“Veprimet e ndërmarra nga qeveria kineze kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në industrinë australiane të verës”, theksoi ministri australian i Tregtisë, Dan Tehan në një konferencë shtypi.