Me anë të kombinimit të masave ndëshkuese të miratuara të hënën, ku përfshihen ndalesat e udhëtimit, ngrirja e pronave dhe sanksionet ndaj kompanive shtetërore bjelloruse, qeveritë perëndimore janë zotuar që ta rrisin presionin e tyre ndaj presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenkos, i cili akuzohet për manipulimin e zgjedhjeve të gushtit të shkuar dhe për shtypjen e opozitës për zgjatjen e pushtetit të tij, tanimë 27-vjeçar
Fuqitë perëndimore kanë goditur të hënën Bjellorusinë me një valë të re sanksionesh, në kuadër të përgjigjes së koordinuar shkaku i aterrimit të detyrueshëm të një aeroplani të “Ryanarit” nga ana e Minskut muajin e shkuar për arrestimin e një gazetari në bord, në aktin që kishte nxitur sanksione të mëtutjeshme ekonomike ndaj vendit.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Kanadaja kanë përfshirë në listat e tyre të zeza numër më të madh zyrtarësh, ligjvënësish dhe ministrash të administratës së presidentit Alexander Lukashenko, një aeroplan i forcave ajrore të të cilit kishte shtrënguar më 23 maj uljen e detyrueshme të aeroplanit të “Ryanairit” që fluturonte midis Athinës dhe Vilniusit, në atë që nga Perëndimi ishte quajtur pirateri shtetërore.
“Jemi të bashkuar në shqetësimin tonë të thellë për sa u përket sulmeve të vazhdueshme të regjimit të Lukashenkos ndaj të drejtave të njeriut, lirive themelore dhe së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të BE-së, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë. “Jemi të bashkuar në thirrjen adresuar regjimit për përfundimin e praktikave shtypëse ndaj vetë popullit të tij”.
Në përzierjen e së hënës të ndalesave të udhëtimit, ngrirjes së pronave dhe sanksioneve ndaj kompanive shtetërore bjelloruse, qeveritë perëndimore janë zotuar që ta rrisin presionin e tyre ndaj Lukashenkos, i cili akuzohet për manipulim të zgjedhjeve gushtin e shkuar dhe për shtypjen e opozitës për zgjatjen e pushtetit të tij, tanimë 27-vjeçar.
Vetë Lukashenko ende nuk u është përgjigjur masave. Ai më herët kishte refuzuar manipulimin e votave, kishte akuzuar gazetarin e arrestuar Roman Protasevich për nxitje të revolucionit dhe i është kthyer përherë e më shumë Rusisë për mbështetje.
BE-ja ka përfshirë afaristin rus, Mikhail Gutseriyev, investuesin e vetëm më të madh të huaj në Bjellorusi, në listën e sanksioneve të saja. Veprimi mund t’i forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e vendit me Moskën, e cila e akuzon Evropën për ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme.
Sanksionet më të fundit që nga zgjedhjet e kontestuara të vitit të shkuar e ngrenë në 166 numrin e ligjvënësve, zyrtarëve, gjykatësve dhe komandantëve ushtarakë bjellorusë të ndëshkuar nga blloku. Në këtë mes përfshihen edhe 78 syresh që janë sanksionuar të hënën.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kanë vënë në shënjestër personat në pozitat më të larta në Qeverinë Lukashenko, përfshirë ministrin e Brendshëm dhe ministrin e Informimit. BE-ja ka sanksionuar ministrin e Mbrojtjes, Viktor Khrenin, ministrin e Transportit dhe komandantin e Forcave Ajrore, si dhe disa gjykatës, ligjvënës dhe zyrtarë.
Sanksionet britanike kanë përfshirë masat ndaj kompanisë BNK të regjistruar në Londër, e cila kishte negociuar kontratat për eksportimin e produkteve bjelloruse të naftës.
Presidenti amerikan, Joe Biden, bashkë me liderët e tjerë perëndimorë, ka dënuar aterrimin e detyrueshëm të aeroplanit dhe ka udhëzuar këshilltarët që t’i mbajnë përgjegjës kryerësit e veprimit.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka akuzuar Lukashenkon për “hilenë e turpshme” të arrestimit të gazetarit disident bashkë me të dashurën e tij studente.
Ndërkaq, liderja opozitare në ekzil, Sviatlana Tsikhanouskaya, është takuar me ministrat e Jashtëm të BE-së për bisedimet e mëngjesit në Luksemburg, para se t’u adresohet gazetarëve në Bruksel. Ajo ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha perëndimore rreth ndëshkimit të Lukashenkos dhe për detyrimin e tij që ta pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe fer.
“Lukashenko është duke e përshkallëzuar dhunën e tij ndaj personave që po luftojnë kundër tij, porse njerëzit nuk po heqin dorë”, ka thënë ajo.