Toka tani po bllokon dy herë më shumë nxehtësi sesa 14 vjet më parë, sipas gjetjeve të një studimi të ri, i cili ngre shqetësime në lidhje me përshpejtimin e mundshëm të ndryshimit të klimës.
Studiuesit vëzhguan të dhënat nga “Clouds and the Earth’s Radiant Energy System (CERES)”, i cili fluturon në disa satelitë të NASA-s për vëzhgimin e Tokës dhe mat se sa energji absorbon planeti në formën e dritës së diellit dhe sa prej saj lëshon përsëri në hapësirë në formën e rrezatimit infra të kuqe.
Diferenca midis energjisë hyrëse dhe dalëse quhet çekuilibër i energjisë dhe studimi zbuloi se në periudhën midis 2005 dhe 2019 çekuilibri u dyfishua në krahasim me vitet më parë, bën me dije space.com.
Shkencëtarët përdorën të dhëna shtesë nga “Argo”, një rrjet ndërkombëtar i sensorëve robotikë të shpërndarë në të gjithë oqeanet e botës, të cilët masin shpejtësinë me të cilën oqeanet nxehen. Studiuesit thanë se krahasimi i të dhënave CERES me Argo ndihmoi në forcimin e gjetjeve pasi dihet që oqeanet globale thithin deri në 90% të energjisë së tepërt të bllokuar nga planeti.