Ushtaraket ukrainase kanë veshur këpucë me taka për një paradë ushtarake, në vend të çizmeve tradicionale duke shkaktuar kështu polemika të ashpra në vend.
“Parada në fjalë është ajo e muajit të ardhshëm, që do të shënojë 30-vjetorin e pavarësisë së vendit pas rënies së Bashkimit Sovjetik”, shkruan “The Guardian”.
“Për herë të parë praktikuam parakalimin me këpucë me taka të larta”, komentoi kadetja Ivana Medvid, sipas faqes së informacionit të Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, ArmiaInform.
“Është pak më shumë e vështirë në krahasim me çizmet e ushtrisë, por ne jemi duke u përpjekur”, shtoi Medvid.
Sidoqoftë, ideja nuk u pëlqeu disa deputetëve pranë ish-presidentit Petro Poroshenko, i cili ftoi ministrin aktual të Mbrojtjes të vishte këpucë me taka të larta.
“Është e vështirë të imagjinohet një ide më idiote dhe e më dëmshme”, tha Inna Sovsun, e partisë “Golos” duke theksuar se ushtaraket ukrainase rrezikojnë jetët e tyre.
Mbi 31 000 gra shërbejnë në ushtrinë ukrainase.