Pas stërvitjes së suksesshme ushtarake “Defender Europe 21”, e cila përfundoi në Shqipëri muajin e kaluar, ushtarët amerikanë vazhdojnë të stërviten së bashku me forcat tona.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë informoi se sot, zyrtarë ushtarakë amerikanë dhe shqiptarë nisën trajnimin e përbashkët njëmujor të kombinuar të shkëmbimit në bazën e Forcave Speciale shqiptare në Zall-Herr.
“Anëtarët e Komandës Europiane të Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kryejnë trajnime me Forcat Speciale Shqiptare të përqendruara në gatishmërinë luftarake, trajnimin mjekësor për shpëtimin e jetës dhe aftësisë në manovrimin e armëve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane./ATSH/