Gjithçka përfundoi në një situatë të njohur dëshpëruese për Gareth Southgaten. Duke e përqafuar Bukayo Sakan, përzgjedhësi i Anglisë ndjeu ankthin e adoleshentit.
Penalltia vendimtare për ta mbajtur ekipin në lojë në një ndeshje të Kampionatit Evropian në stadiumin “Wembley”, mund të jetë një përvojë kaq e vetmuar.
Southgate e di këtë më së miri, pasi ende e ndjek ankthi edhe 25 vjet pas dështimit nga penalltia në gjysmëfinale të Evropianit kundër Gjermanisë. Tani ai duhej të pranonte përgjegjësinë për humbjen në finalen e së dielës ndaj Italisë, pasi kishte zgjedhur Sakan për të marrë atë që do të ishte goditja e fundit e “Euro 2020” – një gjuajtje e pritur nga portieri Gianluigi Donnarumma.
“Ai nuk është vetëm”, tha Southgate. “Ne duhet të jemi aty për ta mbështetur atë. Ne duhet të jemi aty për ta ndihmuar atë. Por jam i sigurt se ai do të marrë shumë dashuri edhe nga jashtë”.
Fokusi do të kthehet në vendimmarrjen e Southgatet. A duhet t’i kishte kërkuar një 19-vjeçari që të merrte përgjegjësinë në një moment kaq të mbushur me presion? Raheem Sterling, një fitues i Premier Leagues që luante në turneun e tij të katërt, nuk u përfshi në mesin e pesë lojtarëve që ishin caktuar për të gjuajtur penalltitë. Strategjia e Southgatet do të analizohet për vitet që vijnë në një komb që ende pret një trofe të parë të madh që nga Kampionati Botëror i vitit 1966. Marcus Rashford dhe Jadon Sancho u futën në lojë në minutën e 120-të, vetëm në kohë për të gjuajtur penalltitë. Rashford u desh të luante si mbrojtës i krahut të djathtë, pasi Kyle Walker ishte zëvendësuar me Sanchon. Fituesi i Premier Leagues dhe i Ligës së Kampionëve me Liverpoolin, Jordan Henderson, u konsiderua më pak i përshtatshëm për një penallti sesa Sancho. Henderson u inkuadrua në lojë në minutën e 74-t dhe u zëvendësua për t’ia liruar vendin Rashfordit. Ishte një kërkesë e madhe për Rashfordin dhe Sanchon, pasi kaluan pjesën më të madhe të natës ulur në stol. Ata të dy humbën penalltitë para Sakas.
“Më takon mua”, tha Southgate. “Vendosa për lojtarët që do të gjuajnë penalltitë, bazuar në atë që kemi bërë në stërvitje. Askush nuk ishte krye më vete. Këto ishin vendimet e mia dhe unë marr përgjegjësinë”.
Alan Shearer, i cili shënoi penalltinë e parë të Anglisë para humbjes së Southgatet në “Euro 1996”, dyshoi në strategjinë e ish-shokut të tij, të dielën në mbrëmje.
“Mendërisht, ata duhet të ishin mirë. E them këtë sepse ata për orë të tëra nuk e kishin prekur topin”, tha Southgate duke iu referuar Rashfordit dhe Sanchos.
Askush nuk po i fajësonte lojtarët që humbën penalltitë, por kjo nuk e ndaloi zhurmën e njohur të mesazheve abuzive raciale që u dërgoheshin Sanchos, Rashfordit dhe Sakas në mediat sociale. Të tre janë me ngjyrë.
“Ata ishin më të mirët për të gjuajtur penalltitë prej atyre që i kisha në dispozicion. Ne fitojmë dhe humbim së bashku”, tha Southgate.
Ishte një humbje që erdhi pasi Anglia kaloi në epërsi në minutën e dytë ndaj Italisë, me golin e realizuar nga Luke Shaw. Dukej se taktikat e Southgatet po shpaguheshin, pasi ai kishte vendosur të luante me tre mbrojtës, me Shawin që luante si sulmues krahu. Ishte Kieran Trippier, që asistoi në golin e Shawit. Por, Anglia gjithashtu ishte në epërsi në fillim të ndeshjes gjysmëfinale të Botërorit 2018 kundër Kroacisë kur Trippier ishte shënues në minutën e pestë. Ashtu sikurse te ajo humbje 2:1 tri vjet më parë, edhe këtë herë Anglia dështoi për ta mbajtur epërsinë.
“Në disa raste ne nuk e mbanim topin mjaft mirë. Kjo na futi edhe më shumë në presion. Kemi dështuar në diçka që duhet të jemi më të mirët”, pranoi Southgate.
Për një skuadër që njihet për kërcënimet e saj sulmuese, Anglia ishte e ndrojtur në kërkimin e një goli të dytë.
“Ishte një rrezik, por nëse sulmonim më herët, ne mund ta humbnim ndeshjen në vazhdime”, tha Southgate.
Sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë, Harry Kane, nuk e pati asnjë gjuajtje në portë derisa shënoi penalltinë e parë për anglezët.
“Ne duhet të jemi jashtëzakonisht krenarë për atë që kemi arritur. Ndoshta kjo humbje do të na dëmtojë për pjesën tjetër të karrierës sonë”, shtoi kapiteni Kane.