AMT kërkoi edhe shpalljen non-grata të Sorecës, ndërsa sot, BE hedh poshtë pretendimet dhe flet për një axhendë kundër misionit të ambasadorit në Shqipëri.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano ka reaguar pas padisë që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, bëri dje në SPAK kundër ambasadorit të BE në Tiranë, Luigi Soreca. AMT kërkoi edhe shpalljen non-grata të Sorecës, ndërsa sot, BE hedh poshtë pretendimet dhe flet për një axhendë kundër misionit të ambasadorit në Shqipëri.
“Duket se ka një fushatë të drejtuar kundër delegacionit të BE në Shqipëri, dhe më duhet të them se akuzat janë të pabazuara dhe dezinformuese. Liderët e BE kanë besim tek ambasadori Soreca dhe punën që ai po bën në Shqipëri. Soreca po bën punë të mirë në interes të BE, por edhe në interes të shqiptarëve, punë të mirë edhe në interes të marrëdhënieve Shqipëri-BE.
Ne vazhdojmë të mbështesim fort reformën në drejtësi në Shqipëri. I bëjmë thirrje aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në Shqipëri të vijojnë zbatimin e reformës në përpjekjet e mëdha të Shqipërisë për të ndjekur reformën në drejtësi dhe Vettingun në gjyqësor, që po japin rezultatet e para të prekshme dhe nuk mund të ngadalësohen”, deklaron zëdhënësi i KE, Peter Stano.
Ky sqarim i fortë i Komisionit Evropian, që ka zgjedhur të përgjigjet me zë dhe figurë vjen një ditë pasi AMT paditi në SPAK ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca. AMT e akuzon Sorecën se ka ndërhyrë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Teatrin dhe se ka lobuar pro kryebashkiakut Erion Veliaj. AMT pretendon se më 16 qershor, Soreca ka hyrë në GJK, kur po zhvillohej seanca dhe ka takuar kryetaren e gjykatës, Vitore Tushën. AMT kërkon edhe shpalljen non-grata të ambasadorit. Por a ka tagër SPAK të gjykojë dhe hetojë Sorecën? Në fakt jo, pasi sipas ligjit ndërkombëtar ambasadori Soreca është i paprekshëm dhe me këtë atij nuk mund t’i merret celulari për tu ekzaminuar. E gjitha zyra e delegacionit të BE në Tiranë ka imunitet diplomatik ashtu si ambasadat e tjera në vendin tonë.