Në orën 10:30 të një mbrëmjeje të ftohtë dhjetori më 2019, ish-gjiganti i industrisë botërore të veturave u gjend i mbyllur në një kuti të vendosur në aeroplan, duke pritur që të largohet nga Japonia.
“Orari ishte që aeroplani të nisej në orën 11:00. Tridhjetë minutat e pritjes në kuti në aeroplan, duke pritur që aeroplani të nisej, ishin ndoshta pritja më e gjatë që e kam përjetuar në jetën time”, thotë Ghosn në një intervistë për BBC-në.
Ai ishte arrestuar në nëntor të vitit 2018 rreth dyshimeve nga prodhuesi japonez i veturave, Nissan, se Ghosn ka deklaruar pagë më të ulët dhe ka keqpërdorur fonde të kompanisë. Ai i mohon këto akuza.
“Plani ishte që unë s’mund ta shfaqja fytyrën, prandaj duhej të fshihesha dikund dhe mënyra e vetme që të fshihesha ishte që të futem në një kuti ose në një valixhe në mënyrë që askush të mos mund të më shihte, askush të mos më njihte dhe plani do të mund të funksiononte”, rrëfen Ghosn.
Ai thotë se ideja e përdorimit të një kutie të madhe, që normalisht do të përdorej për vegla muzikore, ishte më e logjikshmja, sidomos për shkak të faktit se në atë kohë kishte shumë koncerte në Japoni.
“Kur futesh në kuti, nuk mendon për të kaluarën, nuk mendon për të ardhmen, mendon vetëm për momentin. Nuk je i frikësuar, nuk ke ndonjë emocion përpos përqendrimit të madh në atë që kjo është mundësia jote, s’mund ta humbësh. Nëse e humb, do të paguash me jetën tënde, me jetën e një pengu në Japoni”, shtoi ai.
Ghost u transportua nga hoteli për në aeroport nga dy burra, të cilët ishin paraqitur si muzikantë. Ai sjell ndër mend se në kuti qëndroi për një orë e gjysmë, ndonëse iu duku se zgjati një vit e gjysmë.
Aeroplani ishte nisur me kohë, ndërsa Ghosn më pas e ndërroi aeroplanin në Turqi para se të arrinte në Bejrut të Libanit mëngjesin e ardhshëm.
Libani nuk ka ndonjë marrëveshje për ekstradim me Japoninë, prandaj Ghosn është lejuar të qëndrojë në shtetin ku e ka prejardhjen.
Megjithatë, dy amerikanët që e ndihmuan të ikte nga Japonia i janë dorëzuar këtij shteti nga Shtetet e Bashkuara dhe tani përballen me tri vite burgim për dhënie të ndihmës për arratisje.