Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, sot ka realizuar takim njohës me ambasadoren e re amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kejt Mari Bërns.
Siç njofton BDI, Ahmeti e uroi ambasadoren Bërns për detyrën e re, duke e siguruar atë që bashkëpunimi i suksesshëm dhe i sinqertë me SHBA-të do të vijojë edhe në të ardhmen në të mirën e realizimit të qëllimeve të përbashkëta, Maqedoni të Veriut të integruar në NATO dhe BE me demokraci funksionale.
“Bashkëbiseduesit gjithashtu diskutuan edhe për arritjet e përbashkëta në drejtim të kohezionit shoqëror, Marrëveshjeve me Athinën dhe Sofjen dhe rrugëtimin drejt NATO dhe Bashkimit Evropian.
Por, z. Ahmeti theksoi që akoma ka shumë punë për të bërë, në veçanti në drejtim të sundimit të ligjit dhe reformave, duke përfshirë edhe përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
Vendi ynë synon integrimin euroatlantik dhe me doemos duhet ti plotëson standardet e kërkuara, ndërsa BDI do të vijojë të jetë partner i denjë në realizimin e reformave në të mirën e qytetarëve tanë.
Z. Ahmeti theksoi që të gjitha të arriturat janë të përbashkëta dhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të llogarisin që BDI-në do të vazhdojnë ta kanë një partner të sinqertë”, thuhet në njoftimin e BDI-së.