Bota
Qyteti legjendar: Ja cila është historia e vërtetë e Trojës
Nga Avery Hurt
“Discover Magazine”
Ka Perëndi zemërake dhe ndërhyrëse në jetën e njerëzve, një gjysmëperëndi që vritet dhe një hero fatkeq, dashuri dhe thyerje zemre, triumf dhe humbje. Nuk është çudi pse “Iliada” ka ndikuar për mijëra vjet në letërsinë perëndimore.
Fjala “Iliad” vjen nga “Ilion”, një emër i lashtë për Trojën dhe historia zhvillohet në ditët e fundit të rrethimit 10-vjeçar të atij qyteti. Zakonisht poema e famshme i atribuohet Homerit, një poeti grek që shkroi në fundin e shekullit VIII-të ose fillimin e shekullit VII-të Para Krishtit.
Homeri mund të ketë qenë autori i vetëm, ose ai ishte ndoshta personi që shkroi i pari një poezi të përshtatur nga një traditë e gjatë gojore. Në çdo rast, ngjarjet e përshkruara në poezi ndodhën disa qindra vjet para se të shkruhej “Iliada”.
Njëlloj si me legjendat mbi mbretin Artur në Britaninë e Madhe, historia e Trojës është treguar në shumë mënyra të ndryshme nga shumë njerëz të ndryshëm. “Iliada” e Homerit është vetëm rrëfimi i një pjese të historisë (dhe nuk përfshin episodin e kalit prej druri). Gjithashtu si legjendat arturiane, është e vështirë të dihet se sa legjenda bazohet në diçka që ka ndodhur vërtetë. A pati Luftë tëTrojës? A ishte Troja një qytet i vërtetë?Gjatë 150 viteve të fundit, arkeologët u janë përgjigjur disa prej këtyre pyetjeve. Por ka akoma shumë për të mësuar rreth Trojës dhe legjendave që rrethojnë qytetin antik.
Në shekullin XIX, studiuesi anglez Frenk Kalvert shkoi si një diplomat britanik në Turqi, dhe u vendos pranë Hisarlik në Turqinë Perëndimore. Si një arkeolog i aftë (edhe pse pa shumë përvojë), Kalvert bëri një gërmim paraprak, duke besuar se do të zbulonte vendndodhjen e Trojës, bazuar në kërkimet e mëparshme të bëra nga gazetari dhe studiuesi skocez Çarls Meklaren.
Por Kalvert nuk kishte para për të financuar një ekspeditë të plotë. Ndërkohë Hajrih Shlieman e pati këtë mundësi. Ai ishte një biznesmen i pasur gjerman dhe arkeolog autodidakt. Gjatë shekullit XIX, shumica e studiuesve mendonin se Lufta e Trojës ishte një legjendë pa asnjë bazë të vërtetë.
Shlieman donte t’u tregonte që ata e kishin gabim. Kur Kalvert i tha Shlieman se Hisarliku mund të ishte në të vërtetë Troja e lashtë, Shlieman hoqi dorë nga interesat e tij në biznes, dhe e përdori të gjithë pasurinë e tij për të gjetur qytetin antik.
Në vitin 1870 ai filloi të gërmonte në vendin që kishte identifikuar Meklaren dhe Kalvert. Dhe ai ishte i sigurt se rrënojat që zbuloi i përkisnin Trojës. Megjithatë, Shliman bëri shumë gabime. Ai nuk ia njohu meritat Meklaren dhe Kalvert për identifikimin e vendbanimit të lashtë.
Po ashtu ai nisi gërmimet para se të kishte leje zyrtare nga qeveria turke. Por gabimet e tij më të rënda ishin të natyrës arkeologjike. Në sezonin e tretë të gërmimeve, ai hapi një hendek të madh 14 metra të thellë. Duke qenë i vendosur të gjente Trojën legjendar, Shliman kaloi nëpër duart shumë shtresa që bartnin dëshmi arkeologjike të rëndësishme, duke hedhur mënjanë gjithçka që nuk ishte në funksion të qëllimit të tij.
Gjithsesi, arkeologët kanë vazhduar gërmimet në këtë sit, dhe kanë bërë shumë zbulime të rëndësishme në mbetjet e qytetit apo qyteteve. Në fakt, ishin 9 lloje relikesh. Sa herë që shkatërrohej Troja, më shpesh nga zjarri apo tërmeti, të mbijetuarit e rindërtonin qytetin mu mbi rrënojat e Trojës së mëparshme.
Pushtimi dhe rindërtimi i vazhdueshëm i këtij qyteti, ka ndodhur ndoshta për shkak të vendndodhjes së tij. Troja pozicionohej në hyrje të Dardaneleve, një ngushticë që lidh Detin e Zi me atë Egje, një pozicion kyç për rrugët tregtare. Ajo kishte një pozitë strategjike edhe për tregtinë në rrugë tokësore, pasi ndodhej përgjatë rrugës midis Anadollit dhe Evropës.
Troja e parë, një fshat i vogël, daton rreth vitit 3.000 para Erës Sonë, në epokën e hershme të bronzit.
Troja e dytë ishte një vendbanim disi më i madh i rrethuar nga një mur i fortë. Rreth viteve 1750-1180 Para Krishtit në Epokën e Vonë të Bronzit, qytetet ishin bërë edhe më të fortifikuara. Troja e VI dhe VII ishin të rrethuara me mure të trashë të pjerrët që përmbanin godina mbresëlënëse.
Por a janë të vërteta legjendat mbi të? Cila nga Trojat ishte ajo e Homerit? Në dallim nga Shliman, arkeologët që studiojnë sot sitin arkeologjik nuk po përpiqen të gjejnë prova që snë një mënyrë apo tjetrën vërtetojnë atë që rrëfen “Iliada”. Gjithsesi, ajo që ata kanë gjetur ofron disa të dhëna.
Shliman mendonte se Troja e dytë ishte në fakt ajo e poezisë së Homerit, por të dhënat nga karboni dhe analiza e qeramikës kanë treguar se ajo është të paktën 1.000 vjet më e vjetër për t’iu përshtatur përshkrimit të“Iliadës”. Më shumë kanë të ngjarë t’i përkasin Troja VI dhe VII, pra deri në Epokën e Bronzit të Vonë.
Troja VI u shkatërrua nga një tërmet, dhe jo nga ushtritë e Agamemnonit. Të mbijetuarit rindërtuan qytetin, por edhe ai u shkatërrua brenda një brezi. Qytetit u dogj dhe u plaçkit, dhe më e rëndësishmja, u rindërtua jo nga të mbijetuarit, por nga një popull tjetër.
A është kjo Troja e Homerit? Ndoshta. Disa arkeologë mendojnë se ka të ngjarë që lufta që e shkatërroi Trojën VII,të ketë qenë pikërisht lufta që frymëzoi “Iliadën” dhe vepra të tjera. Të tjerët nuk janë dhe aq të sigurt. Në çdo rast, letërsia nuk supozohet të jetë histori.
Në kohën kur Homeri shkroi poemën e tij, 500 vjet pas Luftës së Trojës, qyteti ishte tashmë një gërmadhë.
Ka të ngjarë qëkur poeti donte të tregonte një histori të Perëndive dhe heronjve njerëzorë, ai të përdorte si frymëzim dhe si mjedis rrënojat e Trojës. Pavarësisht nëse poema bazohet në një histori të vërtetë apo ishte thjesht një trillim i shkëlqyer, historia e Trojës është ende e dashur gati tre mijë vjet më vonë. / bota.al
Bota
Mijëra vetë të ekspozuar ndaj fruthit, alarm në një prej aeroporteve më të ngarkuar në botë
Autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar një paralajmërim urgjent pasi mijëra pasagjerë mund të jenë ekspozuar ndaj fruthit, sëmundjes më ngjitëse në botë, në aeroportin ndërkombëtar Neëark Liberty në New Jersey.
Sipas Departamentit të Shëndetësisë të New Jersey-t (NJDOH), një person i infektuar, jo rezident i këtij shteti, ka udhëtuar nëpër terminalet B dhe C më 19 dhjetor, mes orës 07:00 dhe 19:00, gjatë kulmit të udhëtimeve festive.

Zyrtarët paralajmërojnë se vendndodhja e saktë e personit nuk dihet, ndërsa po kryhet gjurmimi i kontakteve. Personat e ekspozuar mund të shfaqin simptoma deri më 2 janar 2026. Fruthi shfaqet me temperaturë të lartë, kollë, rrjedhje hundësh, sy të skuqur dhe skuqje të lëkurës, ndërsa mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, si pneumonia dhe encefaliti.
Sipas CDC-së, në SHBA janë regjistruar mbi 2000 raste fruthi gjatë vitit 2025 dhe tre viktima, duke e bërë këtë shpërthimin më të madh që nga viti 1992.
Ekspertët fajësojnë rënien e normave të vaksinimit, duke theksuar se vaksina MMR mbetet mjeti më efektiv për parandalimin e sëmundjes. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe të kontaktojnë mjekun para çdo vizite shëndetësore në rast dyshimi për ekspozim.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
-
Albania9 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK8 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Sports8 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania10 hours agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
-
Albania1 day agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania1 day agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
