Prej më shumë se 30 vitesh Fshati Lladomericë në Bashkinë e Bulqizës nuk ka parë asnjë investim dhe banorëve aty nuk ju plotësohen as nevojat bazike. Ata kërkojnë nga pushteti vëmendje pasi ju mungon shërbimi shëndetësor, uji i pijshëm, rruga, por edhe shkolla për të vegjëlit e tyre.
Fshati Lladomericë i Njësisë Administrative Ostren në Bashkinë e Bulqizës është ndër më të braktisurit e kësaj ane.
Edhe pse shtrihet në hapësirë të favorshme zhvillimore, aty nuk ka asnjë investim nga bashkia apo qeveria.
Në Lladomericë kane mbetur afro 60 familje, të mbytura nga hallet.
“Asgjë nuk kanë sjellë. Ne kemi ujë të pijshëm, por edhe atë i kemi copa-copa.”
Nuk kane rrugë, e për pasojë automjetet futen vetëm deri në qendër të fshatit.
Banorët detyrohen të transportojnë çdo gjë në shpinë.
“Me kuaj kalojmë se nuk kalohet dot ndryshe.”
Me shume se vetja, u dhimbsen fëmijët pasi nuk kane ku t’i shkollojnë.
Godina që dikur shërbente si e tillë është djegur vite më parë, e prej asaj kohe nuk ka shkolle të re.
Është një godine e improvizuar për mësimdhënie, por dhe ajo shumë larg nga shtëpitë.
“Shkolla jonë ka 5-6 vite që është braktisur dhe fëmijët tanë shkojnë në rrugë të këqija. S’kemi kopsht.”
Ata i kërkojnë drejtuesve vendore dhe atyre qendrore, të menaxhojnë fondet pasi prej 30 vitesh e kanë fshirë këtë fshat nga harta territorial e investimeve.