Dy anëtarë ekuipazhi, një britanik dhe një rumun, u vranë të enjten, kur një anije për transportimin e karburanteve, e menaxhuar nga kompania izraelite, “Zodiac Maritime”, u sulmua afër brigjeve të Omanit, njoftoi vetë kompania të premten.
Kompania tha në uebfaqen e vet se sulmi në Detin Arab është ende duke u hetuar, shkruan Reuters.
Më herët, kompania e përshkroi incidentin si piratëri, por organizata britanike për operacione tregtare në det, e cila ofron informata për sigurinë detare, tha se rasti nuk ishte piratëri.
“Ende janë duke u nxjerrë hollësi nga incidenti dhe hetimi për këtë rast është duke u zhvilluar”, tha kompania “Zodiac Maritime”, që është në pronësi të familjes së pasur izraelite, Ofer.
Organizata britanike për siguri detare ndërkohë tha se anija ndodhej rreth 152 milje detare në verilindje të portit oamnas të Duqm-it, kur u sulmua, pa dhënë hollësi për llojin e anijes.
Ndryshe, tensionet në Gjirin Persik janë rritur që nga vendosja e sanksioneve amerikane kundër Iranit më 2018 nga ish-presidenti Donald Trump, i cili gjithashtu e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
Shtetet e Bashkuara e kanë fajësuar Iranin për disa sulme ndaj anijeve në ujërat strategjike të Gjirit Persik, por Irani është distancuar nga sulmet.
Muajve të fundit, Irani dhe Izraeli gjithashtu kanë shkëmbyer akuza për sulmimin e anijeve të njëri-tjetrit.