Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së ambasadores së SHBA-së Yuri Kim dhënë për gazetarët pas takimit me kreun e PD-së Lulzim Basha, ku tha se “do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia ‘do të hante bar’ për hir të interesave personale të një njeriu”.
Në reagimin e tij ish-kryeministri dhe ish-kreu i Partisë Demokratike, Berisha thekson se, “sot ambasadorja e SHBA Yuri Kim, me një deklaratë fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin, në dhunim flagrant të misionit të saj, i kërkoi Kryetarit të PD që Sali Berisha të mos futet në parlamentin e ardhshëm”.
“Asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën të përmbushë misionin e tij të besuar nga zgjedhësit shqiptarë në mbrojtje të interesit kombëtar dhe publik të shqiptarëve. Që nga data 19 maj 2021 dhe deri sot pas vendimit të Sekretarit Blinken, të bazuar në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros, armik i demokracisë së shqiptarëve dhe shpifjet e tyre, unë i kam kërkuar dhe i kërkoj Sekretarit Blinken të publikojë çdo fakt, dokument apo provë që ai ose kushdo tjetër mbi tokë disponon për të faktuar ato që ka shkruar në vendimin e tij”, nënvizoi Berisha.
Por, vijon Berisha, deri sot nuk është publikuar asnjë provë, dokument apo fakt vetëm e vetëm se ato nuk ekzistojnë.
“Për të gjitha këto unë kam njoftuar se kam paditur Sekretarin Blinken për shpifje në Gjykatën Korreksionale të Parisit. Deri sot Departamenti i Shtetit me zëdhënësin e tij ka informuar se Sekretari Blinken vendimin e ka të bazuar në raporte të NGO lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, raportet e medieve dhe raportet investigative antikorrupsion të qeverisë shqiptare”, tha Berisha, duke se shtuar se vendimi i Sekretarit Blinken është bazuar në raportet e armiqve të tij, NGO të kontrolluara nga George Soros dhe raportet e medieve të kontrolluara nga qeveria dhe raportet sekrete të Edvin Ramës të papublikuara kurrë në Shqipëri.
Berisha tha se “duke shprehur bindjen se vendimi është një abuzim i pastër me ligjin e Kongresit të SHBA-së, përdorimin e tij si armë kundër kundërshtarëve politikë të multimiliarderit George Soros dhe mikut të tij të ngushtë Edi Rama, unë pavarësisht nga këto përsëri ftoj Sekretarin Blinken t’i bëjë të gjitha publike”.
Përveç këtyre, shtoi Berisha, “e ftoj Sekretarin e Shtetit të ndikojë tek Edi Rama që të votojmë në parlament ligjin e vetingut të politikanëve”.
“Dua t’i rikujtoj ambasadores se ke gabuar rëndë me barin që iu përmende demokratëve. Në këtë kontekst shprehja juaj se PD nuk mund të hajë bar është një fyerje për çdo demokrat dhe për çdo shqiptar, të cilët citate të ngjashme i kanë dëgjuar vetëm në diktaturë apo nga racistë albanofobë. Së fundi, nuk e di nëse takimi i sotëm i ambasadores Kim ka ndonjë nxitje nga denoncimi im i marrëveshjes së dyshimtë që u njoftua se u arrit në prani dhe me nxitjen tuaj midis Kryetares së KLGJ, Llagami dhe Institutit East West, që sipas burimeve amerikane drejtohet nga Delina Fico. Duke ju kërkuar mundësisht të bëni transparente këtë marrëveshje ju siguroj se sikundër deri sot do të denoncoj çdo aferë të dyshimtë nga cilido dhe pa asnjë hezitim”, tha Berisha.