Teksa talibanët negociojnë me zyrtarë të lartë dhe liderë qeveritarë, pas pushtimit të Afganistanit, kompanitë amerikane të rrjeteve sociale janë duke analizuar si do t’i trajtojnë militantët e këtij grupi që pritet të udhëheqë shtetin me rreth 40 milionë banorë.
A duhet të kenë qasje talibanët në platformat sociale nëse nuk shkelin ndonjë rregull, siç është ndalesa për nxitje të dhunës, mirëpo në anën tjetër i shfrytëzojnë këto hapësira për të përhapur narrativën se janë reformuar dhe janë duke shpërndarë sapun e ilaçe nëpër rrugë?
Nëse talibanët udhëheqin Afganistanin, duhet të kenë edhe llogari zyrtare qeveritare?
Ekzistojnë edhe pyetje nëse kompanitë teknologjike mund të vendosin se çfarë është apo nuk është qeveri legjitime?
Ato me siguri nuk duan të merren me diçka të tillë, mirëpo teksa situata ndryshon, vendime jo të lehta shtrohen në të ardhmen e afërt.
A kanë talibanët llogari në rrjetet sociale?
Talibanët kanë fituar pushtetin shpejt në Afganistan, dy javë para datës kur forcat amerikane duhet të përfundonin misionin e tyre gati dy dekada të gjatë.
Kryengritësit kanë fituar kontrollin e shumicës së qyteteve kryesore brenda disa ditëve, ndërkohë që forcat afgane të sigurisë, të pajisura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, e saj, nuk kanë bërë rezistencë.
Herën e fundit kur talibanët kanë qenë në pushtet në Afganistan, Facebook, Twitter dhe YouTube nuk kanë ekzistuar. As MySpace. Përdorimi i internetit ka qenë virtualisht joekzistent me vetëm 0.01 për qind të popullsisë online, sipas Bankës Botërore.
Në kohën e fundit, ky numër është rritur. Talibanët janë duke rritur prezencën e tyre po ashtu, duke prodhuar materiale dhe duke mirëmbajtur llogari zyrtare.
Pavarësisht ndalesave, ata kanë gjetur mënyra për t’iu ikur kufizimeve në YouTube, Facebook dhe WhatsApp. Shembull, vitin e kaluar ata kanë përdorur grupet në WhatsApp për të shpërndarë fotografi të zyrtarëve shëndetësorë, me maska dhe veshje mbrojtëse duke u dhënë sapunë banorëve lokalë.
Në Twitter, zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, ka postuar vazhdimisht për më shumë se 300,000 ndjekës, duke përfshirë mediat ndërkombëtare.
Twitter ka pezulluar një tjetër llogari me emër @AfghPresident, e cila ka shërbyer si llogari zyrtare e presidentit de fakto.
“Kjo lë të kuptohet se fitorja e luftës është në funksion të mjeteve joushtarake siç janë mediat sociale, aq sa edhe janë plumbat”, ka thënë Sarah Kreps, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin Cornell, e cila është e fokusuar në politikat ndërkombëtare, teknologjinë dhe sigurinë kombëtare.
“Ndoshta këto grupe, edhe nga perspektiva instrumentale kanë kuptuar se prerja e kokave të njerëzve nuk është mënyra e duhur për të fituar zemrat e mendjen e kombit”.
Talibanët kanë pasur qasje në Twitter?
Facebook dhe YouTube i konsiderojnë talibanët si organizatë terroriste dhe ua kanë ndaluar qasjen. Twitter nuk e ka bllokuar grupin, ndonëse kjo kompani ka thënë të martën se do të vazhdojë të zbatojë rregullat që ka në fuqi, sidomos ato që ndalojnë “madhërimin e dhunës, manipulimet dhe mashtrimet”.
Kjo nënkupton se derisa këto llogari të shkelin rregullat e Twittrit – për shembull duke nxitur dhunë – ato do të mund të operojnë.
Ndonëse talibanët nuk janë në listën amerikane të organizatave terroriste, Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj tyre.
Facebook ka thënë se këtij grupi i është ndaluar qasja, duke thënë se për shkak të politikave që ka për “organizatat e rrezikshme”, kjo platformë duke e ndaluar edhe lavdërimin, përkrahjen dhe përfaqësimin e këtij grupi përmes llogarive tjera.
Kjo kompani ka thënë përmes një deklarate se ka krijuar një ekip të ekspertëve në Afganistan, që gjuhët zyrtare në këtë vend, Dari dhe Pashto, i flasin rrjedhshëm, që të ofrojnë ndihmë duke ofruar detaje rreth kontekstit të postimeve dhe që ta alarmojnë kompaninë kur bëhet fjalë për rrezik.
Logot e kompanive Twitter dhe Facebook.
Logot e kompanive Twitter dhe Facebook.
Facebook njihet për politika të ashpra në këtë drejtim, mirëpo nuk dihet nëse do të mund të veprojë njëjtë edhe në platformën tjetër WhatApp, marrë parasysh se mesazhet janë të koduara dhe askush përmes dërguesit dhe marrësit të mesazhit, nuk mund ta shohë përmbajtjen.
Twitter ka thënë se është duke kontaktuar me njerëz në Afganistan që përdorin këtë platformë dhe është duke kërkuar ndihmë, pasi për të “siguria e njerëzve” është prioritet kyç.
Kritikët menjëherë kanë nisur të bëjnë pyetje se pse kompania vazhdon të zbatojë ndalesën ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndërkohë që lejon postimet e muxhahedinëve.
“Ata shihet se kanë vendosur që ta heshtin një ish-president amerikan”, ka thënë Alex Triantafilou, udhëheqës i Partisë Republikane në qarkun Hamilton në Ohajo për Associated Press, derisa vendimin e Twitterit e ka quajtur “qesharak”.
Twitter ka pezulluar përgjithmonë Trumpin nga ky rrjet social, pas kryengritjes vdekjeprurëse në ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar, duke thënë se postimet e tij mund të kishin nxitur më shumë dhunë.
Kjo kompani ka insistuar se pezullon llogaritë varësisht nga aktiviteti dhe jo mbi baza tjera.
Ndonëse e kupton se kompanitë e rrjeteve sociale operojnë në ekonominë globale, Triantafilou ka thënë se “për mua ka më shumë kuptim që nëse një kompani amerikane mbron interesat e Amerikës”.
Çfarë ndodh tash?
Teksa situata është në zhvillim e sipër, kompanitë e mëdha janë duke analizuar mënyra për t’u përgjigjur.
Megjithatë situata nuk është krejt unike pasi këto kompani janë përballur në të kaluarën edhe me grupet si Hamas dhe Hezbollah, të cilat kanë fuqi të konsiderueshme politike, por janë gjithashtu të dhunshme dhe kanë kryer akte terrorizmi.
“Në dekadën e fundit, Hamasi ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të fituar vëmendje dhe për të përcjellë mesazhet në audienca ndërkombëtare, në disa gjuhë”, ka shkruar Devorah Margolin, hulumtuese e lartë në Programin për Ekstremizëm në Universitetin George Washington, në një raport të publikuar në muajin korrik.
Ajo ka thënë se si krahu politik, ashtu edhe ai ushtarak i Hamasit kanë funksionuar me llogari zyrtare në Twitter.
Pavarësisht përpjekjeve për të shfrytëzuar llogarinë në gjuhën angleze për të arritur te komuniteti ndërkombëtar, Margolin ka thënë se grupi prapëseprapë ka përdorur Twitterin për të bërë thirrje për dhunë.
Më 2019, Twitter ka mbyllur dy llogaritë zyrtare për shkelje të rregullave, duke thënë se “në Twitter nuk ka vend për organizata terroriste dhe grupe të dhunshme ekstremiste”.
Facebook nuk ka komentuar nëse do t’ua dorëzojë talibanëve faqen zyrtare të Qeverisë së Afganistanit, nëse njihet qeveria e tyre.
Kjo kompani ka thënë se “nuk merr vendime për njohje të qeverive, mirëpo respekton autoritetin e komunitetit ndërkombëtar për çështje të tilla”.
As Twitter nuk ka dhënë më shumë hollësi.
E gjithë kjo e lë të hapur derën për dorëzim të llogarive zyrtare në duart e talibanëve, nëse këta të fundit nuk shkelin rregullat dhe hiqen sanksionet amerikane.
“Kjo më duket qasje e arsyeshme, sepse mendoj që rrjetet sociale nuk duhet të gjykojnë se cilat grupe janë legjitime”, ka thënë Kreps, e cila ka shërbyer për forcat ajrore amerikane nga viti 1999 deri më 2003, kryesisht në Afganistan.
Në të njëjtën kohë, ajo ka theksuar se kompanitë si Facebook – kanë mësuar dhe kanë paguar çmim të madh për mënyrën sesi rrjetet sociale kanë ndihmuar në nxitje të sjellje gjenocidale në Mianmar.
Për këtë arsye, ka pak mundësi që ajo të përsërisë gabimet e njëjta.