Shefit të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, i është ndaluar hyrja në Kosovë gjatë ditës së sotme.
Petkoviq planifikonte të qëndronte të premten dhe të shtunën në Kosovë dhe të vizitonte disa subjekte afariste ku shteti i Serbisë u ka ofruar vende të reja pune qytetarëve atje.
‘’Ky është ndalimi i tretë i Prishtinës për drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë dhe negociatorin kryesor serb në dialogun teknik, dhe kjo vjen përpara vazhdimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës javën e ardhshme në Bruksel, gjë që tregon gjithashtu edhe mosgatishmërinë e Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin. Më parë, Petkoviq ishte parandaluar të dërgonte ndihmë për familjet e përmbytura në fillim të vitit dhe të vizitonte djalin e plagosur Luka Dimitrijeviq nga Graçanica’’, thuhet në njoftimin e së ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovë.
Sipas njoftimit, Serbia e konsideron shkelje flagrante të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe marrëveshjes për vizitat e zyrtare.
‘’Ky ndalim dhe sjellje ilegale e Prishtinës sigurisht që do të jetë tema e bisedimeve të ardhshme në Bruksel, veçanërisht duke pasur parasysh se vizita u njoftua me kohë dhe në përputhje me marrëveshjen’’, vijon tutje njoftimi.