Edi Rama merr zyrtarisht mandatin për të qeverisur vendin për një katër vjeçar të tretë, pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet e 25 prillit.
Dekreti u shpall nga Kreu i shtetit, Ilir Meta, të cilin partia e kryeministrit Rama e shkarkoi me vendim parlamenti, dhe çështja është në Gjykatë Kushtetuese. Tani Rama do të duhet të paraqesë brenda 10 ditëve programin qeveritar dhe kabinetin e ri në parlament.
Menjëherë pas votimit të Lindita Nikollës, në krye të Parlamentit, Meta hodhi firmën për Ramës si kryeministër.
“Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit me nr. 216 prot., datë 2.9.2021, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend, Dekretoj: Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.” – thuhet në dokument.
Votimi
Votimi do të jetë dhe momenti i pare i debatit politik në kuvend ku siç paralajmëroi si Basha dhe Berisha përmes deklaratave të së premtes (10 shtator) do të jetë i fortë.
Ministrat tek Meta
Pas marrjes se votave në kuvend, 12 ministre dhe 4 ministra do të duhet të presin sërish firmën e Presidentit Meta. Ky i fundit sipas Kushtetutës ka të drejtën të marrë informacion nga Shërbimi informativ shtetëror mbi çdo emër e vetëm pas kësaj procedure vendos për dekretimin
Sipas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese presidenti mund të refuzojë një ministër vetëm nëse paraqet argumentet e plota.
E ne rast se nuk do të ketë probleme Rama e ministrat e tij do të betohen para presidentit të shkarkuar nga e njëjta maxhorancë.