Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i është kundërpërgjigjur shpejt një burri që e pengoi përderisa po bëhej gati për të dhënë një intervistë në mjedis të hapur.
Trudeau ishte duke u përgatitur për një paraqitje para kamerës, kur një burrë filloi t’i fliste nga larg me gjuhë fyese. Ndonëse fillimisht e injoroi, Trudeau nuk qëndroi i heshtur, kur burri ia ofendoi bashkëshorten.
Burri madje e kërcënoi kryeministrin kanadez, duke i thënë: “Eja, ja ku jam. Q***! Ti jashtëqitje pulash! Ku është gruaja jote? Kam dëgjuar se është lav***.”
Trudeau ia ktheu: “A nuk ka ndonjë spital ku do të duhej të shkoje në këto momente?”, shkruan Independent.
Ndryshe, Trudeau ka pësuar rënie të përkrahjes në anketa para zgjedhjeve dhe pushteti i rrezikohet nga kandidati konservator i opozitës, Erin O’Toole.
Protestuesit kundër vaksinave për Covid-19 janë shfaqur në shumë tubime të fushatës së kryeministrit. Ata po i kundërshtojnë masat e rrepta për vaksinim. Në Kanada, shërbyesit publikë, punëtorët e transportit dhe udhëtarët duhet të vaksinohen.