Në ditën e tretë që kur Kosova vendosi të zbatojë masën e reciprocitetit për targat e veturave nga Serbia, rrugët kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të bllokuara nga protestuesit serbë.
Siç raportojnë mediat lokale, njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në rrugët e bllokuara.
Situata mbetet e qetë.
Për dallim nga këto dy pika kufitare, vendimi për reciprocitet me targa po funksionon në pikat tjera kufitare.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar qe tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.
Të martën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kërkoi tërheqjen e trupave të Kosovës nga veriu “e më pas të ulemi të bisedojmë”. Ai po ashtu ka kërkuar një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian, nëse marrëveshjet e Brukselit janë në fuqi apo jo. Ka thënë se për këtë do të presë muajin e ardhshëm e nëse s’merr përgjigje “është shenjë se marrëveshjet s’ekzistojnë”.