Deputeti i partisë së Vuçiqit: Rusia po e destabilizon gjithë rajonin

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Dragan Shormaz, deputet në parlamentin e Serbisë nga Partia Progresive e Serbisë (SPP) që udhëhiqet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për gazetën “Danas”, ka thënë se Rusia me ndikimin e saj po e destabilizon gjithë rajonin.

Ai ka kritikuar vizitën e djeshme të ambasadorit të Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, që u bëri njësiteve ushtarake serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Unë e kam akuzuar (Rusinë) se qëndron edhe prapa protestave në korrik të vitit të kaluar për shkak të masave anti-COVID. Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Ai (ambasadori) mund të ecë sa të dojë. Nuk më pëlqen fakti që po dërgohet një fotografi për të mashtruar qytetarët e Serbisë, sepse Rusia nuk mund të bëjë asgjë”, ka thënë Shormaz.

Sipas tij, problemet e Serbisë me Kosovën nuk mund t’i zgjidhë Rusia, e as Kina, që janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Rasti ynë me Kosovën nuk mund të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sepse asgjë nuk është zgjidhur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Nuk ka një shembull të tillë. Ka disa shembuj që Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka krijuar probleme. Problemi ynë mund të zgjidhet përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. Rusia nuk mund të bëjë asgjë, Kina nuk mund të bëjë asgjë, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë. Të vetmit që mund të ndikojnë mbi Prishtinën dhe Beogradin, pavarësisht nëse dikujt i pëlqen apo jo, janë Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Shormaz.

Në fakt, janë raste të rralla që një anëtar i Partisë Progresive Serbe e udhëhequr nga Vuçiqi, të kritikojë Rusinë. Vuçiqi vazhdimisht proklamon aleancën me Rusinë, të cilën e quan edhe vëllazërore.

Rrugët në veri të Kosovës që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak, janë bllokuar nga serbët tash e tetë ditë. Ata janë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masë reciprociteti për targat e veturave të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Share This Article