Kryeministri grek Mitsotakis thotë se mund të arrihet bashkëpunim me Turqinë për çështje të përbashkëta si kriza klimatike dhe problemin e refugjatëve
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis tha se nuk ka ndërmend të hyjë në një garë të armatimit me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë ekskluzive me transmetuesin shtetëror grek ERT, Kyriakos Mitsotakis, i cili është në Paris për një vizitë zyrtare dy-ditore, tha: “Unë parashikova në pranverë që do të kishim një verë të qetë. Nuk shoh asnjë arsye pse ne nuk duhet të kemi një vjeshtë të qetë dhe një dimër të qetë. Unë besoj se Turqia e kupton që nga tensionet në Mesdheun Lindor nuk do të përfitojë askush”.
Duke deklaruar se mund të arrihet bashkëpunim me Turqinë për çështje të përbashkëta si kriza klimatike dhe problemin e refugjatëve, Mitsotakis nënvizoi se bashkëpunimi ekonomik është i mundur si pjesë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe respektit.
Ai tha se mënyra e vetme për të zgjidhur problemet në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje është ligji ndërkombëtar.
“Unë do t’ju them sinqerisht: Mund të arrihen marrëveshje që kërkojnë një tërheqje reciproke në disa çështje, në mënyrë që në fund të arrijmë zgjidhje nga e cila përfitojnë të gjithë”, theksoi ai.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për modernizimin e Ushtrisë Greke.
“Nuk jam në disponim për një garë armatimi me Turqinë. Nuk është qëllimi im”, tha ai, duke shtuar: “Pasi, e dini, këto janë vendime për programet e armëve që kanë një horizont të gjatë. Unë do t’i dorëzoj një forcë të armatosur më të fuqishme pasardhësit tim”.
Mitsotakis pohoi se vendimet e marra nga Këshilli Evropian në lidhje me Mesdheun Lindor kanë rezultuar në kuadrin e marrëdhënieve në Mesdheun Lindor në prizmin evropian dhe se marrëdhëniet turko-greke janë kthyer në marrëdhënie Turqi-BE.