Ish-kryeministri, Sali Berisha, në takimin me anëtarësinë e PD-së në Durrës listoi një sërë arsyesh se përse qeverisja e Edi Ramës, sipas tij e ka lënë vendin për tetë vite në vend numëro.
Për situatën ai fajësoi edhe opozitën, pasi sipas tij në këto vite nuk arriti asnjëherë të organizonte aksionet dhe veprimet për t’i dalë përballë qeverisjes së Ramës.
“Një qeverisje në 8 vite varfëroi shqiptarët në mënyrë të pandalshme, shpunësoi shqiptarët, burgosi shqiptarë më shumë se gjithë rajoni marrë së bashku. Vetëm në një vit u burgosën për çështje civile 38 mijë shqiptarë. Njeriu që sot rrëmbeu mandatin e tretë dëshmonte një pasion të shfrenuar për hekurat dhe burgun për qytetarët. Në 8 vite Shqipëria kaloi nga një rekord të zi në një tjetër rekord të zi, në rrugëtimin tonë drejt BE mbetëm vendnumëro. Ky njeri që vetëm një javë më parë u paraqit në këshillin e ministrave me një veturë që përveç sheikëve të naftës nuk do ta pranonte njeri. Ky njeri që është shndërruar në sherrin e vërtetë të Ballkanit bashkë me Vuçiç dhe po ndëshkojnë Shqipërinë dhe rajonin me nismat e tyre. Ky njeri rrëmben mandatin e tretë.Në këto zhvillime pjesën e vet të pamohoueshme e ka opozita shqiptare që në këto vite nuk arriti kurrë të organizojë aksionet, veprimet, përkundrazi dështoi, dështoi pothuasje në çdo nismë të ndërmarrë nga 2013 deri sot”.
Berisha tha se gabimi i tij është se qëndroi i heshtur ndaj problemeve që ekzistonin në PD.
“Unë kam pjesën time të pamohueshme të fajit. Dhe unë jam këtu për t’u kërkuar ndjesë. Për të shpjeguar ku ishte gabimi im. I kërkova Bashës të japë dorëheqje pas zgjedhjeve të 2017, humbje të tillë nuk kishim njohur kurrë, as në ’97. Nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte përgjegjësi për humbjen e tmerrshme në 2017. Unë çdo gjë i thoja, por nuk e beja se nuk kisha ndërmend të kthehesha më. Isha i vendosur të qëndroja njëri prej jush. E kisha konceptuar si dorëheqje pa kthim. Nuk futesha dot në çështje të brendshme pa projekt”.
Në këtë takim të radhës, Berisha u prit në Durrës nga figura të rëndësishme të PD-së, si deputetët Tritan Shehu, Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, ish-deputeti Igli Cara.