Gazeta amerikane “The New York Times” ka publikuar një kabllogram të brendshëm të Agjencisë Amerikane të Intelingjecës, CIA ku ngrihet alarmi për një valë të zbulimit të informatorëve nëpër botë.
Sipas gazetës, ky dokument qarkullon prej disa kohësh në qendrat e ndryshme të CIA-s nëpër botë. Janë drejtuesi të shërbimeve sekrete amerikane që paralajmërojnë agjentët e tyre për këtë fluks të zbulimit të identiteteve duke theksuar se në disa raste ka pasur ekzekutime të agjentëve.
Në dokument renditen disa arsye.
Së pari është aksioni i kundërspiunazhit amerikan i përqendruar tek lufta kundër organizatave terroriste në Lindjen e Mesme, duke anashkaluar sektorë që tradicionalisht mbulohen si nga Rusia dhe nga Kina.
Një tjetër shkak janë ndryshimet marramendëse në teknologji. Kjo ka sjellë modernizimin e kundër-inteligjencës në vende që më parë kishin një diferencë shumë të madhe mjetesh me Shtetet e Bashkuara.
Sot ato mund t’i lejojnë vetes përdorimin e mjeteve si skanimet biometrike, teknologjitë e njohjes së fytyrës që e kanë bërë të vështirë punën për CIA-n në mbulimin e gjurmëve.
Përdorimi i hakerave nga ana e vendeve rivale kohët e fundit ka zbuluar mesazhe të koduara që kanë mundësuar kapjen e të paktën dy informatorëve të CIA-s në Kinë dhe Iran. Në të dy rastet personat janë ekzekutuar.