Ish-kryedemokrati i kërkoi falje demokratëve që ka mbështetur Lulzim Bashën. Ai tha se nëse këtë aksion politik që po ndërmerr tani, do e zhvillonte në vitin 2017, PD në zgjedhjet që sapo lamë pas do të ishte në krye.
“Në këto tetë vite kam mbështetur një njeri, që nuk po e marr në rrafshin njerëzor, se po ta marrësh në rrafshin njerëzor, si ai thuhet se as nuk duhet të vijë, besëprerë.
E marr në një qëndrim jashtëzakonisht të paimagjinueshëm ndaj vlerave që ne sollëm në Shqipëri.
Çfarë kemi sjellë në Shqipëri? Votën e vërtetë, votën e lirë. Se votë kishte, por ishte e kapur. Sollëm edhe liritë e të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar.
Po nuk ishte pak se po të shkosh në vitin 1990, ku ishte çështja kombëtare dhe ku jemi sot, ne duhet të jemi të lumtur. Por partia filloi të bjerë shumë në këto dy shtylla kryesore të saj.
Unë e kam mbështetur në mënyrë absolute duke i thënë atij privatisht gjithçka dhe i kam të dokumentuara se nuk jam njeri spontan.
Por publikisht e kam mbështetur fuqimisht me shpresën se do ecim drejt fitores. Por ai kishte axhendë tjetër, që të lartësonte veten. Por nuk mund të lartësohesh me atë që bëri në vitin 2017, kur doli në pusi dhe vrau bashkëpunëtorët e tij.
Gabimi im i madh është se në vitin 2017 nuk e ndërmora aksionin që mora tani, dhe ju siguroj se do ishim në pushtet tani. Do kishim hapur negociatat.
Ju garantoj se do bëj gjithçka që të rikthej vlerat”, përfundoi Berisha.
Sali Berisha nga Elbasani, i pyetur nëse do garojë për kryetar, tha se ai është i hapur për çdo funksion në harkun kushtetues.
Berisha iu përgjigj pyetjes nëse lëvizja e tij është personale apo jo.
“Tani vijmë te çështja a është kjo lëvizje personale apo jo? Më 19 maj, unë u shpalla ‘non grata’ nga Sekretari i Shtetit ndërsa kisha 8 vite pa asnjë kompetencë ekzekutive. Në 8 vite nuk kisha pasur kurrë një akuzë në ndonjë organ, por ai që është arkitekt i kësaj, ai bënte fushatë duke thënë se Berisha vetë nuk është i korruptuar.
U shpalla non-grata, por e mbajta të gjithën personale dhe e hodha në gjyq në Paris, jo për të hequr vendimin, por për shpifjen mbi të cilat është bazuar vendimi. Asnjë njeriu nuk i kam kërkuar ndihmë, as në Shqipëri dhe as në SHBA, përveçse transparencë. Deklarova disa herë publikisht se PD nuk ka punë me këtë çështje.
Por më datën 20 maj, unë u kam deklaruar gazetarëve se tani unë do rikthehem. Tërhiqem nga vendimi im. Pse e mora këtë vendim? Sepse në 8 vite kisha denoncuar më shumë se kushdo kapjen e drejtësisë dhe krimin e korrupsionit. Po ashtu kisha mbrojtur interesin kombëtar. Kisha ngritur zërin fuqishëm kundër ndarjes së Kosovës. Isha ngritur kundër Mini-Shengenit se ishte hegjemoni serbe në rajon. Kjo më zgjoi mua. Atëherë thashë se do rikthehesha shumë më fuqishëm.
Unë jam i hapur për çdo funksion në harkun kushtetues të këtij vendi,” tha Berisha.
“Unë synoj që ju të zgjidhni me votën tuaj kryetarin. Cilindo kryetar të zgjidhni jum do e pranoj me kënaqësinë më të madhe. Jam plotësisht i hapur. Historia ka provuar se rikthimet kanë qenë shumë të dobishme”.