Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhje të parakohshme është e nevojshme pasi që sipas tij, Kosova ka shumë tema në tavolinë dhe për to është mirë që të mos humbet kohë.
Ai në një debat me qytetarë në Mitrovicë, tha se gjendjen e sotme e sheh si të rregullt ndonëse thotë se është krijuar nga një situatë e jashtëzakonshme, duke përmendur dorëheqjen e tij,
“Në situata të tilla, mandati është te vendimmarrja dhe personi që e ka këtë mandat, në këtë rast kryetari i Qeverisë, vendosë kujt dëshiron t’ia kthejë. Ai mund ta japë mendimin e vet, është e rregulluar me Kushtetutë, ligje, por mund ta thotë edhe mendimin e vet”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se ai ka preferuar që mandati t’i kthehet popullit.
Më tutje, gjatë debatit, Haradinaj, tha se seanca e ardhshme e Kuvendit, ka një peshë, në rastin e parë që të miratojë fondet e IPA II dhe që do të vendosë për shpërndarje të Parlamentit dhe shkuarjes në zgjedhje dhe, data e zgjedhjeve mund të jetë java e fundit e shtatorit ose java e parë e tetorit.
“Kosova ka plot tema në tavolinë dhe për to mirë është që të mos humbet kohë dhe e rëndësishme është që po shkon në kohë të rregullt kohore kushtetuese mbajtja e zgjedhjeve”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se Kosova duhet të vazhdojë të përmbyllë shtetësinë brenda dhe të bëhet shtet qind për qind, si dhe Kosova nuk e ka përmbyllë shtetësinë në planin e jashtëm, sepse, sipas kryeministrit në detyrë, Haradinaj, nuk është bërë anëtare e OKB, as anëtarësimi në NATO dhe këto janë çështje të ndjeshme.
Ai më tutje, tha se për të ecë në planin e jashtëm, ka peshë dialogu, ndërkaq në planin e brendshëm, forcimi i rendit dhe ligjit, siguria, si dhe zhvillimi ekonomik, hapja e vendeve të reja të punës.
Haradinaj sqaroi edhe dhënien e dorëheqjes së tij dhe tha se një kryetar qeverie nuk jep dorëheqje për tu kthyer prapë aty.
“Sikur të kish ekzistuar një situatë më lartë, do të kishte dhënë dorëheqje për kalkulime të vogla politike për të shkuar një hap më lart, por një kryetar qeverie nuk jep dorëheqje për të shkuar edhe një herë ushtrimit të zgjedhjeve dhe me qëllimin për tu kthyer aty”, tha ai dhe shtoi se është gabim interpretimi i kujtdo qoftë, keqpërdorim dhe mungesë e një gjykimi të drejtë pse ka dhënë dorëheqje.
Ai tha se nuk ka mundësi që ai ta qojë shtetin para hetuesve jashtë vendit, sepse në këtë mënyrë do të dobësonte Kosovën, krijojë precedent shumë të keq për gjithë nocionin e sovranitetit të shtetit.
“Fakti që unë e kam dhënë dorëheqje, e ka mbrojtur Kosovën në planin ndërkombëtar, sepse ka dalë lajmi, që ‘Kryeministri i Kosovës dha dorëheqje, sepse është ftuar si i dyshuar’. E vërtetë që nuk kam aktakuzë, por jam ftuar si i dyshuar dhe kam dhënë dorëheqje”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.