Një tërmet i fuqishëm ndodhi të martën në mëngjes në lindje të ishullit grek, Karpathos, duke u ndier në disa qytete të Mesdheut, raportuan mediet e dëshmitarët.
Megjithatë, nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz apo dëme të mëdha materiale, shkruan Reuters.
“Vërtet e ndjeva, zgjati 30 sekonda”, tha një dëshmitar në Lindos, në një postim në uebfaqen e Qendrës Evropiane Sizmologjike të Mesdheut.
Vëzhguesi Gjeologjik i ShBA-së tha se fuqia e dridhjes ishte 6.0 shkallë të Rihterit dhe epiqendra 37.9 kilometra nën sipërfaqe. Tërmeti u ndie edhe në disa ishuj tjerë grek, përfshirë Kretën dhe Santorinin, raportoi televizioni shtetëror.
Dridhjet u vërejtën edhe në kryeqytetin e Qipros, në Bejrut të Libanit, Kairo të Egjiptit, në disa pjesë të Izraelit, në Territoret Palestineze dhe në jug të Turqisë.
Kreta e Greqisë u godit nga dy tërmete të fuqishme në javët e fundit. Një person vdiq dhe ndërtesat u dëmtuan.