Skandali i AKSHI-t/ “Karçanaj pa shtëpi”, por SPAK i sekuestroi milionat, si u rrëzua publikisht narrativa e Edi Ramës

albnews
By
4 Min Read

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar pasuri së fundmi me vlerë mbi 40 milionë euro, në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.

Konkretisht, janë sekuestruar pasuritë e Ergys Agasit, ish-drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karçanajt, dhe Ermal Beqirajt.

Çfarë ka ndodhur? 

Sot do të ndalemi te rasti i Karçanajt, për të cilën SPAK ka caktuar masën ‘arrest shtëpie’ për akuzën e shkeljes së barazive në tendera.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se pjesë e sekuestros janë apartamente, kryesisht në Tiranë dhe bregdet, si dhe automjete, sipërfaqe pyjore, troje dhe garazhe. 

Në ngarkim të Mirlinda Karçanajt:

– Pasuria e llojit apartament, me vendndodhje në rruga“Dervish Hima”, Kati 8, Ap. 32, Tiranë;

– Pasuria me vendndodhje në rrugën e “Kavajës”, me sip. 73.5 m2, Tiranë;

– Pasuria me vendndodhje në Qerret Kavajë;

– Pasuria me nr. 125/211 e llojit ullishte me sip. 1500 m2, Sauk, Tiranë;

– Autoveturë Volksëagen, modeli Tiguan;

– Llogari bankare në BKT

– Disa Llogari bankare në OTP Bank

Konteksti

Në fund të dhjetorit 2025, kryeministri Edi Rama i doli në mbrojtje drejtoreshës së AKSHIT.

Ai gënjeu publikisht sa i përket gjendjes financiare të ish-drejtoreshës duke deklaruar se Karçanaj jetonte në shtëpi me qira para masës së arrestit. 

“Kjo është pjesë e hetimeve. Nuk kam dijeni për këtë dhe nuk mund të bëj asnjë koment për gjysmë të vërtetat që dalin lart e poshtë. 

Është proces, do bëhen hetime. Në krye të skuadrës së AKSHIT është një grua që ka respektin e padiskutueshëm. 

Linda Karçajan, që ka një masë sigurie, me një shtëpi me qira ku jeton, pasi më parë jetonte në një shtëpi të postkomunizmit në banesën e prindërve të saj. 

E njoh prej 20 vitesh dhe ka respektimin tim”, deklaroi Rama asokohe.

Pritshmëritë

Pas aksionit të SPAK, vijnë reagimet e para nga opozita. 

Edhe deputeti i PD, Belind Këlliçi solli në vëmendje deklaratën e kryeministrit Edi Rama kur u shpreh se ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj nuk ka shtëpi e as makinë dhe se jetonte me qira.

Këlliçi thekson në rrjetet sociale se kryeministri Rama doli garant për pafajësinë e Mirlinda Karçanajt dhe se tani është momenti që ai të mbajë përgjegjësi.

“40 milionë euro në total, përfshirë dhe Agasin, Beqirin e Hoxhën, për aktivitetin e tyre kriminal që lidhet me AKSH-in, cilësuar si kopshti personal i Ramës dhe familjes së tij.

SPAK bën të ditur se rryshfetet merreshin në euro me prerje nga 100 në 500, të futura në kuti vere. Edi Rama po të kishte minimumin e dinjitetit dhe po të mbante sado pak përgjegjësi, duhej të jepte sot dorëheqjen”, thekson Këlliçi.

E shkuara e Mirlinda Karçanaj dhe raporti me Ramën

Mirlinda Karçanaj është një bashkëpunëtore e hershme e kryeministrit Edi Rama. Në maj të vitit 2007, ajo emërohet Drejtoreshë e Teknologjisë së Informacionit në Bashkinë e Tiranës, kur institucioni drejtohej nga Rama.

Karçanaj largohet nga Bashkia në vitin 2011, kur Rama humbi zgjedhjet lokale të vitit 2011.

Sapo Rama mori pushtetin në vitin 2013, Mirlinda Karçanaj ishte një ndër emërimet e para të tij.

Ajo u emërua Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në 7 tetor 2013, post që e mbajti për më shumë se 12 vjet, deri sa dha dorëheqjen, në shkurt 2026.

Share This Article