Asnjë vend i tretë nuk ka veto mbi aspiratat e Ukrainës për t’u bashkuar me Aleancën Veri Atlantike.
Kështu është shprehur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin në një konferencë gjatë vizitës së tij në Kiev, i pyetur në lidhje me kundërshtimet ruse ndaj hyrjes së Ukrainës në NATO.
“Asnjë vend i tretë nuk ka të drejtën e vetos mbi vendimet e anëtarësimit në NATO. Ukraina, të drejtë të vendosë për politikën e saj të jashtme të ardhshme dhe ne presim që ata do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë pa asnjë ndërhyrje nga jashtë”, tha Austin.
Ai gjithashtu tha se Rusia filloi konfliktin në lindje të Ukrainën dhe është një pengesë për zgjidhjen e saj paqësore.
Ukraina, së bashku me Gjeorgjinë, kërkojnë anëtarësimin në NATO, gjë që Moska e kundërshton ashpër.
Vizita e Austin vjen më pak se dy muaj pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ministri i Mbrojtjes, Andriy Taran udhëtuan në Washington për të takuar presidentin amerikan Joe Biden.
Administrata e Bidenit është zotuar t’i japë Ukrainës një ndihmë ushtarake shtesë prej 60 milionë dollarë, e cila do të çonte ndihmën totale amerikane vetëm për këtë vit në më shumë se 400 milionë dollarë.
Pas Ukrainës, Austin do të udhëtojë në Rumani para se të shkojë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, më 21-22 tetor.