Në dhjetorin e kaluar, kur varianti i parë nga disa variante shqetësuese të Covid-19 po përhapeshin në Britani, Kryeministri Boris Johnson e mori vendimin e pakëndshëm për t’i anuluar planet për Krishtlindje për miliona britanikë.
Dhjetë muaj më vonë, qasja e Mbretërisë së Bashkuar ndaj koronavirusit ka ndryshuar përtej të njohurës. Pothuajse të gjitha kufizimet në Angli u larguan në korrik. Sektorët e organizimeve dhe gastronomisë u kthyen me kapacitete të plotë përderisa kryeministri u bëri thirrje njerëzve që të fillojnë të mësohen për të jetuar me virusin.
Por varianti Delta, edhe më ngjitës se varianti Alfa, që e shkaktoi anulimin e festave vitin e kaluar, ende nuk është larguar. Britania ka regjistruar gati gjysmë milioni raste të reja me Covid-19 në dy javët e fundit dhe gati 50.000 vetëm të hënën – më shumë se Franca, Gjermania, Italia dhe Spanja së bashku. Të martën, Britania raportoi 223 të vdekur, që është shifra më e lartë nga fillimi i marsit, shkruan CNN, transmeton Gazeta Express.
Johnson është distancuar nga një pjesë e madhe e vendeve evropiane me qasjen e tij. Përderisa disa shtete kanë filluar të përdorin pasaporta të vaksinimit, Anglia hoqi dorë nga plani fillestar i saj për ta bërë të njëjtën gjë. Përdorimi i maskave, distanca sociale e masat tjera nuk kërkohen më me ligj në Britani.
“Politikat e jashtëzakonshme sjellin rezultate të jashtëzakonshme. Është shumë e parashikueshme. Kjo është një pasojë e hapjes së gjithçkaje. Po i afrohemi dimrit dhe gjërat vetëm do të përkeqësohen”, tha Deepti Gurdasani, epidemiologe në Universitetin “Queen Mary” në Londër.

