Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka pësuar rënie në ranglistën e FIFA-s, të publikuar të enjten për muajin tetor.
Në ranglistën e re të FIFA-s, Kosova ka pësuar rënie për katër pozita dhe në këtë kanë ndikuar humbjet e këtij muaji nga Suedia (3:0) e Gjeorgjia (1:0) në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Për këtë muaj, Kosova renditet e 113-ta në ranglistën e FIFA-s me 1161 pikë të grumbulluara. Ndërkohë, Shqipëria është ngritur në ranglistën e këtij muaji për tri pozita dhe renditet në vendin e 63 me 1374 pikë të mbledhura. Sa i përket pozitës së parë në ranglistë edhe për këtë muaj e para është Belgjika me 1832 pikë, e përcjellë nga Brazili (1820). Franca është ngjitur në pozitën e tretë me 1779 pikë, duke e lënë pas vetes Italinë (1750) që është e katërta, ndërsa Anglia zë vendin e pestë me 1750 pikë të mbledhura.