Enis Bardhi u kthye në momentet vendimtare për skuadrën e Levantes, që bën gara në La Ligën e Spanjës.
Bardhi më 8 shtator kishte pësuar dëmtim të rëndë në këmbë, derisa po luante me Maqedoninë e Veriut në barazimin pa gola kundër Rumanisë, në ndeshjen kualifikuese të Botërorit 2022.
Shkaku i atij lëndimi, Bardhi i mungoi Levantes në gjashtë ndeshje. U rikthye në duelin kundër Sevillas dhe luajti 45 minuta si zëvendësues, ndërsa në takimin e parë si titullar pas dy muajsh, shënoi dy gola. Që të dy i realizoi në portën e Jan Oblakut, nga penalltia. Kundër Olbakut të Atletico Madridit kishte realizuar edhe më 17 shkurt. Vetëm Lionel Messi ka më shumë gola të shënuar në portën e sllovenit, tetë në total. Levante të enjten mbrëma luajti 2:2 me Atletico Madridin, në kuadër të La Ligas.
“Jemi shumë të lumtur pas këtij barazimi. Ishim në seri të dobët, dy herë ishim në disavantazh ndaj Atleticos, por ky ekip nuk dorëzohet asnjëherë. E kemi treguar këtë disa herë gjatë viteve, e konfirmuam edhe ndaj Atleticos. I shënova golat, por rezultati është falë paraqitjes ekipore. Barazimi është i rëndësishëm, sepse fituam një pikë, por kjo do të na japë edhe vetëbesim, motivim për rezultate më të mira në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Bardhi pas ndeshjes. “Levante është gjallë dhe kemi bërë hap të madh kundër një rivali të fortë. Tifozët janë lojtari i 12-të. Na kanë ndihmuar shumë dhe i falënderoj, sepse na trimëruan për ta bërë paraqitjen e nivelit më të lartë”.
Bardhi ka bërë emër në elitën e futbollit spanjoll. Është një prej ekzekutuesve më të mirë i gjuajtjeve të lira. Nga 22 gola sa i ka në total në La Liga, gjashtë i ka shënuar nga gjuajtjet e lira.
Se Bardhi është shumë i rëndësishëm për skuadrën e ka pranuar edhe trajneri i Levantes, Javier Pereira.
“Kjo tregon qartë se sa shumë na ka munguar Bardhi në ndeshjet e kaluara, sepse është futbollist i një niveli më të lartë. Ai është lojtar që demonstron gjithmonë diçka të re në fushë. Është karakter i fortë brenda dhe jashtë fushës. Një lojtar që sheh dhe pason aty ku nuk e pret askush. Ekzekutues i mirë i gjuajtjeve të lira dhe penalltive”, theksoi trajneri Pereira. Ai ka qenë shumë i qetë kur drejt pikës së bardhë kishte shkuar dhjetëshi i skuadrës.
“Ai ka shumë vetëbesim dhe me guxim e mposhti një portier si Oblak dy herë, në mënyrë të përkryer. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ai për Levanten”.
Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut u shpall më i miri i ndeshjes ndërmjet Levantes dhe Atletico Madridit.
Levante është një nga dy skuadrat e elitës së futbollit spanjoll që ende nuk ka shënuar fitore në edicionin aktual të La Ligës, bashkë me Getafen e vendit të fundit që ka tri pikë. Tri më shumë i ka Levante.
Bardhi është lojtar shumë i rëndësishëm edhe i Maqedonisë së Veriut, që ende ka gjasa për ta siguruar vendin e dytë në Grupin J të kualifikimeve të Botërorit.
26-vjeçari Bardhi ishte pjesë e Maqedonisë V. në Kampionatin Evropian që u zhvillua në verë. Maqedonia e Veriut debutoi, ndërsa Bardhi luajti në humbjet e pësuara nga Austria, Ukraina dhe Holanda.