Me rivalitet të lartë pritet të përcillet edhe xhiroja e 10-të në Premier League të Anglisë.
Manchester Unitedi, pas disfatës së thellë që e pësoi në xhiron e kaluar nga Liverpooli, do të ketë një udhëtim të vështirë. Të shtunën në orën 18:30, “djajtë e kuq” luajnë në udhëtim te Tottenhami.
Mbrojtja nuk po funksionon mirë tek ekipi që udhëhiqet nga Ole Gunnar Solskjaer dhe Harry Maguire mund të lirojë vendin për Raphael Varanen që është rikthyer në skuadër.
Vëmendja do të jetë edhe te Mason Greenwoodi, i cili mund të bëhet futbollisti më i ri që prej Wayne Rooneyt, që shënon 10 gola në ndeshjet si mysafir.
Greenwood ka realizuar pesë gola në shtatë ndeshjet e fundit si mysafir në Premier League dhe nëntë në total për Unitedin. Rooney këtë shifër të golave e kishte arritur me 19 vjet e 21 ditë, në nëntor të vitit 2004.
Tottenhami megjithatë nuk do ta ketë të lehtë pavarësisht formës së luhatshme të Unitedit. Është pikërisht kjo skuadër që i ka shkaktuar më së shumti disfata në këtë garë, 36 në total.
Pasi shënoi tri gola në dy paraqitjet e para në Premier League pas rikthimit tek Unitedi këtë edicion, Cristiano Ronaldo nuk ka shënuar në ndonjë prej katër ndeshjeve të fundit në ligë. Po e kalon formën më të dobët pa shënuar gol që prej nëntorit të vitit 2017 kur ishte pjesë e Real Madridit.
Leicesteri e Arsenali do ta hapin xhiron e 10-të në garën për vendin e pestë në tabelë.
Të dy ekipet kanë nga 14 pikë, dhe një fitore e mundshme do t’i dërgonte në vendin e pestë, të paktën për disa orë.
Liverpooli të shtunën në orën 16:00 luan kundër Brightonit, ekip që e kishte mposhtur në muajin shkurt këtë vit. Por, me Mohamed Salahun në formë të përkryer, do të jetë e vështirë të përsëritet ai sukses. Salah synon që të realizojë gol në ndeshjen e 11-të rresht.
Lideri Chelsea që ka 22 pikë, një më shumë se Liverpooli, do të luajë kundër Newcastlet në udhëtim. “Blutë e Londrës” i kanë fituar pesë nga gjashtë takimet e fundit me Newcastlen. Fitorja e fundit ishte ajo e janarit të vitit 2020, 1:0.
Ndërkohë, kampioni në fuqi, Manchester City e pret Crystal Palacen në orën 16:00 të shtunën po ashtu.
Milot Rashica me Norwichin do ta kërkojë fitoren e parë sivjet në Premier League në duelin kundër Leedsit, të dielën në orën 15:00. Gol tjetër synohet të realizohet nga Armando Broja, që me Southamptonin luan në udhëtim te Watfordi të shtunën në orën 16:00.