Më shumë se 50 federata janë ndëshkuar për sjellje të këqija në ndeshjet e fundit ndërkombëtare, tha FIFA të hënën. Megjithatë, shumica e vendimeve ishin shumë larg dënimit me dy ndeshje pa shikues me të cilin u dënua Hungaria.
Një listë e vendimeve nga komiteti disiplinor i organit drejtues të futbollit botëror përfshinte detajet e dënimit të Hungarisë për racizëm nga tifozët dhe shkeljet e sigurisë, duke përfshirë fishekzjarrë dhe bllokimin e shkallëve në ndeshjet kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Anglisë dhe Andorrës. Hungaria është dënuar tashmë që dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi t’i luajë prapa dyerve të mbyllura, dhe FIFA një duel tjetër në udhëtim ua ka ndaluar tifozëve hungarezë pjesëmarrjen. Gjithashtu, Federata e Futbollit të Hungarisë ka marrë edhe gjoba që arrijnë në vlerën e 281 mijë frangave zvicerane. Shqipëria, Meksika dhe Panamaja gjithashtu duhet të luajnë ndeshjet në shtëpi me dyer të mbyllura, ndërsa tifozët polakë janë të ndaluar nga një ndeshje në udhëtim që do ta luajë Polonia. Argjentina, Kili, El Salvadori, Hondurasi, Mali i Zi, Peruja duhet të luajnë ndeshjet me “një numër të kufizuar spektatorësh”.
Argjentina mori gjithashtu një paralajmërim për shkak se ndeshja e saj kundër Bolivisë filloi me vonesë dhe u gjobit me 30 mijë franga zvicerane përveç ndalimit të tifozëve, për shkak të “sjelljeve diskriminuese” të tifozëve kur e vizitoi Uruguai. Andorra ishte në mesin e shtatë përfaqësueseve të gjobitura për grumbullimin e kartonëve të verdhë pasi mori gjashtë në ndeshjen kundër Anglisë.
Dënime të tjera përfshijnë një gjobë prej dy mijë frangash zvicerane për kampionen e botës, Francën, sepse tifozët e saj nuk mbanin maska gjatë barazimit 1:1 në shtëpi me Bosnjë e Hercegovinën në fillim të shtatorit në Strasburg.
Kazakistani u gjobit, sepse tifozët shfaqën një pankartë për ushtarët e Luftës së Dytë Botërore nga Bashkimi Sovjetik që luftuan për nazistët. Moldavia u ndëshkua për shkak se një dron ndërpreu himnet kombëtare para ndeshjes kundër Austrisë. Shumë nga gjobat e tjera ishin për objekte të hedhura, lëshim fishekzjarrësh ose shkelje të tjera, të paspecifikuara, të “rendit dhe sigurisë”.