“U mbyll, mbledhja në vrap e sipër vetëm se unë po shprehja mendimin tim nga deklaratat që i konsideroj krejt të gabuara të lidershipit që po kërkon tani të ozurpojë edhe dy forumet, Forumin Rinor dhe atë të Gruas. Është vendim ozurpues dhe arbitrar. I paligjshëm dhe anti-statuor”, kështu e përshkroi Albana Vokshi gjithçka ndodhi në 5 minuta mbledhje në selinë blu, pasi kreu i PD Basha e ndërpreu nxitimthi duke mos u dhënë mundësi zonjës Vokshi dhe zotit Spaho të shprehin qëndrimet e tyr kundra.
E ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma deputetja demokrate thotë se Basha, edhe pse kryetar i PD, nuk mund të flasë me një gjuhë të tillë ndaj liderit të kësaj partie në emër të gjithë demokratëve, duke e cilësuar si tub oksigjeni për Ramën e për ta vulosur me sloganin “koha e Sali Berishës ka mbaruar”.
Vokshi: Nëse ky është mendimi personal i Lulzim Bashës është ok por nuk mendoj se mund të flasë me këtë gjuhë në emrin tim. Lulzim Basha duhet të flasë pasi janë marrë vendimet në forume, duhen votuar dhe pastaj të dalë ti publikojë. Këtë deklarova në mbledhje por Basha tha se nuk janë në rend ditë dhe mbylli mbledhjen. Iku me vrap nga grupi parlamentar ndërsa unë distancohesha nga deklaratat e tij. E vendosin demokratët kur i përfundon koha kujt lideri të PD. Ai nuk e përcakton fundin e asnjë personi në politikë, aq më tepër të Sali Berishës. Ndërkohë Spaho kërkonte fjalën për ndryshimet kushtetuese që nuk janë diskutuar.
Situatën brenda selisë blu e cilëson të pazakontë.
Vokshi: Në legjislaturën e fundit, kam qenë anëtare e kryesisë për tre mandatet e fundit dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë në mbledhjet e grupit dhe kryesisë për çështje të ndryshme. Jo të gjithë biem në një mendim por ka diskutim. Askush nuk është kundër vettingut në politikë, e kemi çuar deri në Venecia dhe e ka rrëzuar vettingun dhe SPAK si mekanizëm. Ta diskutojmë, a është ky momenti, a janë ndryshimet e duhura?
E pyetur nëse Bashës po i shket partia nga duart ajo përgjigjet.
Vokshi: As unë as Këlliçi nuk jemi kundër zgjedhjeve. As unë nuk po e kuptoj më vendimmarrjen e Bashës. Nuk kuptoj vendimin për largimin e Berishës nga grupi pa ndjekur procedurat, vendimmarrje e një personi. Basha nuk e ka pronë të tij PD, as FRPD dhe LDG. Nuk më është dhënë e drejta të flas në seancë plenare.
Përplasja mes kryetarit dhe ish-kryetarit të PD ka vënë përballë njëri-tjetrit edhe deputetët.
Vokshi refuzon të komentojë deklaratën jo shumë miqësore të koleges Pampuri, por ka një këshillë për komisionin e mandatuar nga Basha për zgjedhjet në Lidhjen Demokratike të Gruas, e drejtuar prej Vokshit prej 2013.
Vokshi: Refuzoj të komentoj deklaratat e kolegëve të mia. Gjithmonë kam qenë për solidaritet femëror. Shpresoj shumë që zonjat që janë caktuar në mënyrë anti-statuore duke përjashtuar gjithë anëataret e LDG. U bëj thirrje këtyre zonjave që ta mendojnë mirë pjesën e qënies në një grup pune që është anti-statuor dhe zhbën punën e 10 mijë grave të tjera që kanë marrë pjesë në proces. Ka shumë deputetë që flasin nën zë. Ka ardhur koha të shpëtojmë partinë tonë.
Vokshi foli edhe për pritshmëritë për Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga Sali Berisha.
Vokshi: Janë mbledhur shumë më tepër firma se 1/4 e anëtarëve të PD. Cilidoqoftë produkti do jetë një hap para për demokratizimin e PD dhe respektimin e mendimit ndryshe. Statuti e ka të qartë, 1/4 e anëtarësisë thërret Kuvendin. Askush se ndal dot vullnetin e lirë të demokratëve.