Nga Saranda ish-kryeministri Sali Berisha në Foltoren e radhës u shpreh se Foltorja është lëvizja më e madhe e 30 viteve të fundit lidhur me demokracinë.
Ai tha se Edi Rama festoi parakohe marrjen peng të pluralizimit në vend, duke menduar se i lau duart me PD-në.
“Qysh nga themelimi i PD-së deri më sot, shpreh gjithë mirënjohjen për ju dhe gjithë demokratët e Shqipërisë, të cilën në një moment kritik të demokracisë shqiptare dhe PD-së, u ngritët fuqishëm në atë që do ta quaja me bindjen më të thellë qysh nga dhjetori i vitit 1990. Ky është një çast kritik ku pushteti shqiptar është i drejtuar nga narko-shteti i Edi Ramës dhe që shndërroi PD-në në një ministri të qeverisë.
Ju u ngritët dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe Evropës, ju me firmën tuaj u bëtë zotër të PD-së dhe demokracisë shqiptare. Edi Rama festoi para kohe marrjen peng të pluralizimit. Ai mendoi se i lau duart me PD-në. Ai mendoi se tani do të mund të vendoste çdo gjë, pasi regjistroi çdo javë dhe muaj rekordet më të zeza të vendit. Shndërroi Shqipërinë në delen e zezë Evropës. Nxori në treg kufijtë e Kosovës. Ai llogariti peng-kryetarin dhe jo mbarë gratë dhe burrat demokratë të Shqipërisë që nuk nënshtroheni. Foltorja është lëvizja më e madhe e 30 viteve të fundit. Ne që çmontuam sistemin komunist, do të rrëzojmë edhe narko-shtetin”, tha Berisha.
ish-kryeministri Sali Berisha në Foltoren e radhës u shpreh se 4200 firmat e demokratëve i kanë futur frikën Bashës.
Ai tha se nga këto firma janë të trembur edhe Edi Rama dhe Soros që ka dashur që të shkatërrojë PD-në si një parti konservatore.
“Janë depozituar 4200 firma. Të gjitha me emër mbiemër, numër anëtarësie partie dhe me funksione. Është e paimagjinueshme. Drita e tyre verboi selinë dhe kryetarin pa parti. Pas zgjedhjes së tij urgjente, keni konstatuar ndonjë takim të tij me ju? Atë e ka pushtuar një frikë e tmerrshme, jo nga pushteti se me ta është në ujdi, por nga ju. Ai ka frikë nga ju sepse e di se ju nuk pranoni pazare me Edi Ramën. Ju e dini se nuk e pranoni pluralizmin fasadë. Janë këto arsyet pse kryetari ka frikë dhe nuk takohet me ju.
Ai e demonstroi këtë frikë primitive për firmat tuaja. Tmerri i atij dhe kryet të Meduzës janë firmat tuaja. Është edhe tmerri i Sorosit që kishte parashikuar shkatërrimin e forcës konservatore. Firmat janë garancitë e një opozite vigane dhe së shpejti fitimtare. Ata të cilët që përpiqen të mohojnë firmat do të bëjnë mirë që të çlirohen nga frika e tyre. Nuk janë firma për tu parë frikë. Ne nuk ia njohim pushtetin Edi Ramës. Nuk do t’i pranojmë ato që u pranuan në zgjedhjet e 25 prillit”, tha Berisha.