Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka biseduar sot me Zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, njëherësh mbikëqyrës i politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas njoftimit nga zyra e Kryeministrit, Escobar ka shfaqur interesimin e tij për programin e qeverisë në shumë fusha me ç‘rast kryeministri e ka njoftuar diplomatin amerikan me progresin e shënuar në menaxhimin e mirë të pandemisë dhe vaksinimin e suksesshëm të popullsisë.
Po ashtu, thuhet se kryeministri e ka njoftuar diplomatin amerikan për rritjen ekonomike dhe reformat e filluara në drejtësi si dhe për stabilitetin institucional e legjitimitetin demokratik.
“Escobar theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe përkushtimin e ShBA-ve që Kosova dhe rajoni të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Në lidhje me dialogun në Bruksel, ai shprehu mbështetjen e tij dhe përkushtimin që të ketë progres në këtë drejtim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Më tej thuhet se gjatë bisedës Kurti e ka falënderuar Escobar për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe e siguroi për përkushtimin e Kosovës për dialog parimor, ku në qendër është njohja e ndërsjellë.
“Kryeministri po ashtu theksoi rëndësinë që në Serbi, por edhe në rajon, të ketë ballafaqim me të kaluarën si dhe balancë e simetri në trajtimin e pakicave”.
Në mbyllje të bisedës, Escobar ka theksuar se pret që së shpejti të vizitojë Kosovën.
Ndërsa, sipas njoftimit, Kurti e la falënderuar diplomatin amerikan për rolin dhe angazhimin e tij në Kosovë dhe rajon duke i uruar sukses në punën e tij dhe duke i ofruar bashkëpunimin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tashmë është përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.