Nga Tirana, në Foltoren me gratë demokrate e roganizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, kryetarja e FGDSH-së, Albana Vokshi u shpreh se gratë demokrate kanë firmosur për Kuvendin, madje duke ardhur edhe nga Londra.
Ajo shtoi se Basha është shprehur se Forumi i Gruas në PD nuk funksionon, duke theksuar se ajo nuk ka zgjedhur të rrijë me kryetarin e PD-së, por me Foltoren e Berishës.
“Në këtë sallë janë qindra delegate që kanë firmosur mbledhjen e Kuvendit të datës 11. Nuk janë në kasafortë, por janë këtu, kanë ardhur nga gjithë Shqipëria madje edhe nga Londra për këtë foltore. Në këtë sallë kemi edhe një pjesë të historisë së Lidhjes Demokratike të Gruas, ndaj unë përulem me respekt ndaj gjithsecilës prej jush. Në këtë sallë janë të gjitha kryetaret e zgjedhura në procesin e sapo përfunduar të gruas. 10 mijë anëtare të reja të anëtarësuara vetëm vitin e fundit. Dua t’i falënderoj me zemër, sepse ndryshe nga kolegët e tyre burra ata kanë ndjekur vullnetin e anëtarësisë.
Një strukturë sikurse e përmendet edhe ju doktor, aq shumë demokratik, dëshironin ta zhbënin, por ja ku jemi, jemi këtu. Në telefonatën e bërë nga zoti Basha hodhi akuza sepse kjo strukturë nuk funksionon. Akuza tjetër e zotit Basha ishte se ju jeni përfshirë në veprimtari anti-statutore. Por kush është anti-statutore, fakti që duam të mblidhet një Kuvend? Nuk e zhbën dot kontributin tuaj zoti Basha, sepse ju keni trokitur derë më derë. Dua të shpjegoj se përse kam zgjedhur foltoren e nuk kam zgjedhur të rri me lidershipin. Kam zgjedhur foltoren sepse besoj në vullnetin e Sali Berishës, sepse ndryshe nga Basha ai ka një projekt për një PD të hapur, demokratike, parti e të gjithave juve”, tha Vokshi.