Pas dënimit të Denis Xholit dhe Albjon Çekut, ka reaguar edhe PD-së përmes deputetes Dhurata Çupi.
Ajo e ka quajtur të paplotë drejtësinë pasi ditën e sotme Denis Xholi dhe Albjon Çeku të akuzuar për blerje të votave në Dibër u dënuan me nga 1 vit burg.
Sipas Çupit, ajo që ka ndodhur në Dibër është vetëm maja e ajsbergut, pasi ka qenë e orkestruar nga lart dhe me zbatim deri në çdo qelizë ku mund të merrej vota në çdo formë.
Ajo shton se kjo është masakra zgjedhore për të cilën PD kërkon hetim dhe drejtësi të plotë përmes komisionit hetimor parlamentar.
“Se e ka vjedhur Rilindja pushtetin, jo vetëm e kam denoncuar gjate fushatës, por edhe pas shpalljes së rezultatit. Ditën për diell, rilindasit të angazhuar me çdo formë për të mbajtur pushtetin, blenë vota, blenë vullnetin e lirë, ushtruan presion me heqjen e ndihmës ekonomike apo edhe duke ofruar vende pune të përkohshme. Kjo që ka ndodhur në Dibër është vetëm maja e ajsbergut. Gjithçka ka qenë e orkestruar nga lart dhe me zbatim deri në çdo qelizë ku mund të merrej vota në çdo formë. Kjo është masakra zgjedhore për të cilën PD kërkon hetim dhe drejtësi të plotë. Për këtë arsye drejtësia duhet të veprojë që nga organizatorët e kësaj masakre dhe për çdo person të përfshirë në këtë aferë të vjedhjes së vullnetit të shqiptarëve. Drejtësia është e paplotë me dënimin e 2 personave, por duhet të shkojë tek i gjithë zinxhiri i vjedhjes së votave të shqiptarëve”, tha Çupi.