Pas disa javësh me temperatura të larta, zjarret kanë përfshirë një rajon të popullarizuar turistik në perëndim të Australisë, ndërsa reshjet e dendura shkaktuan vërshime në lindje.
Asnjë shtëpi nuk është dëmtuar dhe nuk janë raportuar të lënduar nga zjarret, por flakët janë parë në një zonë të gjerë. Autoritetet kanë aktivizuar paralajmërime emergjente dhe disa banorëve u është kërkuar largimi në vende më të sigurta.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shërbimeve Emergjente tha: “Veproni menjëherë për të mbijetuar”, shkruan France24.
Përderisa bregdeti australian i Oqeanit Indian është përfshirë nga temperaturat që kanë shkuar deri në 40 gradë, në anën tjetër të vendit, në bregdetin e Oqeanit Paqësor, rajoni po përballet me të reshura të shiut për disa muaj.
Disa rajone rurale në jug të qytetit Sydney, që para dy vjetëve ishin prekur nga zjarret më të rënda të regjistruara ndonjëherë, kanë pasur reshje prej 21 centimetrash vetëm në 24 orët e fundit.
Ky ishte nëntori më i lagësht që u regjistrua në 122 vjet dhe në mesin e më të ftohtëve. Shkencëtarët besojnë se moti ekstrem në Australi është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit.