Ngasësi i bolidit të Mercedesit, Lewis Hamilton, ka mbetur tejet i zhgënjyer që nuk e fitoi titullin e kampionit në Formula 1, të cilin ia rrëmbeu nga dora Max Verstappeni i Red Bullit në garën e fundit. Hamilton tha përmes radios së ekipit të tij në fund të Çmimit të Madh të Abu Dhabit se gara ishte “e manipuluar”. Britaniku Hamilton ishte zemërgjerë në intervistat e tij pas garës, e cila përfundoi në një stil të diskutueshëm pas një periudhe të makinës së sigurisë që u fut në garë. Por, në xhiron e fundit, pasi rivali Max Verstappen e kishte kaluar atë, Hamilton tha: “Kjo është manipuluar, o njeri”.
Skuderia e ka paraqitur menjëherë një ankesë mbi trajtimin e garës. Në fakt, Mercedesi bëri dy ankesa të dielën mbrëma, por që të dyja u refuzuan nga zyrtarët e garës. Tani, ata po shqyrtojnë nëse do të apelojnë kundër vendimit për të mbështetur trajtimin e garës së rifilluar nga drejtori i garës, Michael Masi, i cili dukej se ishte në kundërshtim me rregullat dhe protokollet standarde të organit drejtues. Mercedesi ka 96 orë nga dhënia e njoftimit për qëllimin për të apeluar – deri rreth orës 19:00 të enjten – për të vendosur nëse do të vazhdojë këtë procedurë. Mercedesi tha të hënën se ata ende po vlerësojnë të gjitha opsionet dhe nuk kanë marrë një vendim të prerë në lidhje me ankesën e fundit. Ekipi nuk ka komentuar publikisht për ngjarjet në shtegun “Yas Marina”, por ka një ndjenjë padrejtësie për atë që ndodhi. Kjo i drejtohet menaxhimit të garës, dhe jo Verstappenit apo Red Bullit.
“Organi drejtues i skuderisë së Mercedesit ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me apelin përfundimtar për të cilin ka ende afat”, thuhet shkurt në njoftimin e Mercedesit.
Hamilton nuk iu referua situatës së makinës së sigurisë në intervistat e tij të pakta televizive pas kësaj dhe ai nuk u vu në dispozicion të mediave të shkruara, edhe pse është një kërkesë që tre fituesit e parë të paraqiten në një konferencë zyrtare për shtyp. Ai tha se Mercedesi “i kishte dhënë gjithçka këtë pjesë të fundit të sezonit dhe nuk hoqi dorë kurrë”. Te Mercedesi kanë vendosur që është më mirë të mos bëjnë komente publike derisa situata paska të qetësohet nga Abu Dhabi, përpara se të vendosin se si të vazhdojnë. Një pjesë e konsideratës së tyre do të jetë se është shumë e pazakontë që Gjykata e apelit të FIA-s, të rrëzojë vendimet e zyrtarëve të garës. Një numër i ngasësve të tjerë kanë shprehur konfuzion dhe skepticizëm në lidhje me mënyrën se si u rifillua gara pas një periudhe të makinës së sigurisë që ishte në shteg.
“Është e qartë se ishte bërë për të qenë një luftë. Ishte për TV sigurisht. Ishte për rezultatin. Nëse ishte apo jo e drejtë, nuk ishte në dorën time të vendosja”, ka thënë ngasësi i McLarenit, Lando Norris.
Hamilton ishte duke dominuar garën përpara Verstappenit dhe në rrugën për të fituar titullin e tetë në F1 për të vendosur rekord botëror, kur makina e sigurisë u fut në shteg kur kishin mbetur edhe pesë xhiro deri në fund të garës. Verstappen ndaloi për t’i vendosur gomat e freskëta pas makinës së sigurisë, ndërsa Hamilton jo, dhe kjo e la britanikun në shteg me goma të vjetra kur gara u rifillua. Kjo bëri që Verstappen ta tejkalojë kaloi Hamiltonin për të fituar titullin e tij të parë botëror. Duke u përpjekur të sigurohej që gara të mos përfundonte pas makinës së sigurisë, drejtori i garës Masi fillimisht tha se makinat me një xhiro prapa liderëve nuk do të lejoheshin të parakalonin – është një praktikë e zakonshme që t’i linin ata të kalojnë për të shmangur ndërhyrjen e tyre në garë – dhe më pas, pas presionit nga Red Bulli, ai ndryshoi mendje. Mirëpo, ai la të kalonin vetëm makinat ndërmjet Hamiltonit dhe Verstappenit, dhe jo ato midis Verstappenit dhe Ferrarit të Carlos Sainzit në vendin e tretë, apo ndonjë tjetër.
“Ndonjëherë ata të lënë të shkosh, ndonjëherë jo. Por, ata thanë se nuk do të na lënë të kalojmë, kështu që mendoja se ishte një mesazh për të thënë se ata thjesht nuk do të na linin të kalonim fare. Kur papritmas në xhiron e fundit ndërruan vendimin dhe kjo bëri që të mbetem tejet i befasuar”, insistoi Norris.
I befasuar ka mbetur edhe shoku i skuderisë së Norrisit, Daniel Ricciardo.
“Sinqerisht jam pa fjalë. Nuk e di se çfarë të them për gjithë këtë, vërtet nuk e di. Më duhet të shoh dhe t’i analizojë gjërat se si erdhi deri te kjo puna. E për këtë me duhet pak kohë”, shtoi ai.
Ndërkohë, ngasësi i Ferrarit, Charles Leclerc i Ferrarit i quajti vendimet “paksa të çuditshme”.