Skuadra e Manchester Unitedit do të përballet me Atletico Madridin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve pas tërheqjes së shortit të hënën, i cili u përsërit. Është kjo njëra prej ndeshjeve më interesante të kësaj faze, me të dy klubet që kanë potencial por që janë në kërkim të formës së mirë pas startit të dobët. Në fakt, Unitedi e shmangu Paris Saint-Germainin që e pati kundërshtar pas tërheqjes së parë të shortit, ndërsa Atletico Madridi nuk do të përballet me Bayern Munichun.
Ndeshja e parë do të luhet në stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madrid, ndërsa ajo e kthimit në “Old Trafford”. Për portierin e Manchester Unitedit, David de Gean, do të jetë një ndeshje tejet e veçantë pasi do të përballet me ish-klubin e tij për herë të parë që nga transferimi i tij në Angli një dekadë më parë. Megjithatë, ndeshjet me Atleticon në kuadër të garave evropiane janë gjithmonë një rast i veçantë për yllin e Unitedit, portugezin Cristiano Ronaldo – i cili ka një bilanc të jashtëzakonshëm kundër skuadrës së Diego Simeones në Ligën e Kampionëve. Në të vërtetë, çdo ndeshje të fazës eliminuese të Championsit që Atletico e ka humbur midis vitit 2014 dhe 2019 ishte kundër një skuadre që në radhët e veta e kishte pikërisht Ronaldon.
Ronaldo luajti një rol kyç në finalet e Ligës së Kampionëve të viteve 2014 dhe 2016, kur Real Madridi triumfoi ndaj rivalit më të madh të qytetit. Sulmuesi ishte gjithashtu i rëndësishëm kur Real Madridi mposhti Atleticon në çerekfinalen e vitit 2015 dhe në fazën gjysmëfinale dy vjet më vonë, kur skuadra e Simeones u duk se ishte e mallkuar përballë fqinjit nga Madridi në skenën më të madhe të futbollit evropian. Real Madrid do të fitonte Ligën e Kampionëve për sezonin e tretë rresht dhe trofeun e katërt në pesë sezone në vitin 2018, por Atletico nuk arriti të përparonte përtej fazës së grupeve në atë vit.
Ronaldo u largua nga Reali për t’u transferuar te Juventusi në verën e vitit 2018 dhe sulmuesi portugez ishte në formë frymëzuese pasi ekipi italian e eliminoi Atleticon në 1/8 e finales në edicionin debutues të portugezit në Torino. Pasi skuadra e Simeones triumfoi 2:0 në ndeshjen e parë në Madrid, një “hat-trick” mahnitës i Ronaldos në ndeshjen e kthimit siguroi që Juve të bënte një kthesë të jashtëzakonshme për të kaluar në mesin e tetë skuadrave më të mira të Evropës. Të dy skuadrat do të takoheshin sërish në fazën e grupeve të sezonit 2019/20, me Juventusin që fitoi 1:0 në Torino, përpara se të luante 2:2 në ndeshjen e kthimit në kryeqytetin spanjoll. Bilanci i Ronaldos kundër skuadrës së Atletico Madridit gjatë gjithë karrierës së tij është mahnitës – ai është përballur me skuadrën e Simeones në 35 raste, ndërsa ka shënuar 25 gola kundër tyre.
Në mënyrë të pabesueshme Ronaldo ka shënuar katër herë “het-trick” kundër Atleticos në të gjitha garat, ekip të cilin e ka eliminuar pesë herë në Ligën e Kampionëve. Ai gjithashtu ka edhe nëntë asistime në të gjitha përballjet e tij kundër Atleticos. Kështu që, te Manchester Unitedi po bazohen në rekordin fantastik të Ronaldos për ta tejkaluar kampionin në fuqi të Spanjës në 1/8 e finales të Championsit. Aktualisht Ronaldo, që iu bashkua Manchester Unitedit para fillimit të këtij edicioni, është golashënuesi më i mirë i ekipit në Premier League me shtatë gola të realizuar në 13 paraqitje.