Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka folur për situatën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Kamberi tha se as në vitin 2021 nuk pati ndryshime për kushtet ë shqiptarëve, pasi sipas tij, zhvillimet politike kanë qenë të njëjta me vitin e kaluar, të cilat nuk kanë mundësuar ndonjë ndryshim.
“Po përballemi me diskriminim të cilin Serbia po e zbaton ndaj popullsisë shqiptare në aspektet ekonomike, të diplomave që nuk njihen si dhe në shumë fusha tjera”, tha Kamberi.
“Është një proces i legalizimit të pastrimit teknik”.
Deputeti tha se ky proces është filluar në bazë të një ligj të veçantë të vendbanimit, i cili përdoret për të legalizuar një gjendej të ç’popullimit të shqiptarëve në Luginë.
“Ky ligj zbatohet në mënyrë selektive, pra zbatohet vetëm ndaj shqiptarëve”, tha Kamberi, transmeton Klankosova.tv.
Kamberi alarmoi se Medvegja, ne regjistrimin e radhës të popullsisë, mund të ketë më pak se 15 përqind popullsi shqiptare, gjë që rezulton me largimin e gjuhës shqipe nga gjuhët zyrtare në këtë komunë.
“Fatkeqësisht në Medvegjë kanë arritur që gati ta bëjnë një pastrim të përgjithshëm. Vetëm në periudhën 2017-2019 janë pasivizuar 1 mijë e 700 qytetarë, që do të thotë një numër i madh, e që në regjistrimin e ardhshëm rrezikon që Medvegja me numër të shqiptarëve të bie nën 15, e që si pasojë menjëherë sjellë largimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në atë komunë”, u shpreh Kamberi.
Kamberi bëri thirrje për reagim më të madh ndaj këtij fenomeni nga qeveria në Prishtinë në dialogun me Beogradin, si dhe nga ajo e Shqipërisë në organet në të cilat është anëtare.
“Qeveria e Kosovës duhet të insistojë sa më shumë që kjo probelmatikë të diskutohet në Bruksel. Nuk mund të ketë marrëveshje mes dy shteteve nëse lugina e Preshevës mbete në këtë gjendje. Kjo nuk sjell paqe”, tha Kamberi.