Gjykata Supreme e Rusisë e ka urdhëruar mbylljen e grupit më të vjetër rus për të drejtat e njeriut, “Memorial”, në vazhdën e shtypjes së mendimit të pavarur nga Presidenti Vladimir Putin.
Urdhri për mbylljen e këtij grupi u mor sipas legjislacionit për agjentë të huaj, që ka vënë në shënjestër dhjetëra organizata joqeveritare dhe medie që vlerësohen si kritikuese të qeverisë, shkruan The Guardian.
Grupi “Memorial” është themeluar në fund të viteve të tetëdhjeta për t’i dokumentuar shtypjet politike, të kryera gjatë periudhës së ekzistimit të Bashkimit Sovjetik, duke themeluar një bazë të dhënash për viktimat e “Terrorit të Madh” dhe kampeve “gulag”. Grupi ka qenë mbrojtës i rëndësishëm i çështjes së të drejtave të njeriut në Rusi.
Në vendimin e saj, gjykatësja Alla Nazarova dha urdhër për mbylljen e organizatës për shkelje “të përsëritura” dhe “të mëdha” të ligjeve ruse për agjentët e huaj. Grupi ka thënë se një akuzë e tillë është e motivuar politikisht.
Një avokat i grupit citohet të ketë thënë se do të paraqesë ankesë kundër vendimit, edhe në Rusi, edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.




