Manchester Unitedi e ka fituar ndeshjen e xhiros së 20-të në elitën e futbollit anglez dhe nuk di për humbje në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Pesë prej tyre i ka me epokën e trajnerit gjerman Ralf Rangnick.
“Djajtë e Kuq” të enjten mbrëma triumfuan ndaj Burnleyt me rezultatin 3:1. Të gjitha golat u shënuan në pjesën e parë të ndeshjes.
Golin e parë në ndeshje e realizoi Scott McTominay në minutën e tetë pas asistimit të Cristiano Ronaldos. Mesfushori i talentuar shënoi për mrekulli me gjuajtje nga distanca.
Rezultati u dyfishua në minutën e 27-të, kur mbrojtësi i Burnleyt, Ben Mee, shënoi gabimisht në portën e vet.
Golin e tretë dhe të qetësisë në këtë ballafaqim për “djajtë e kuq”, e shënoi vetë portugezi Ronaldo. Ishte gol i shënuar në portën e zbrazët, pasi McTominay fillimisht qëlloi shtyllën.
Shtatë minuta pa u mbyllur pjesa e parë, për vizitorët shënoi mesfushori anglez, Aaron Lennon. Për Lennon ishte goli i tij i parë në Premier League kundër Unitedit në paraqitjen e tij të 23-të.
Pas kësaj fitoreje, Unitedi ngjitet në tabelë në vendin e gjashtë me 31 pikë, me dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Burnley mbetet në pozitën e 18-të me vetëm 11 pikë. Ka tri ndeshje më pak të luajtura.