Sulmuesi i ri shqiptar Armando Broja është duke gëzuar një formë shumë të mirë.
Broja sonte realizoi një gol të bukur në fitoren 4:1 të Southamptonit në Premier League ndaj Brentfordit.
Për 20-vjeçarin është goli i pestë në Premier League, ndërsa i ka edhe dy tjerë në Kupë. Ai është huazuar te Southamptoni nga Chelsea. Pas ndeshjes Broja për BBC-në ka thënë se po e shijon futbollin.
“Natë e jashtëzakonshme, të luajë në një atmosferë kaq të mirë në shtëpi. Ishte performancë e madhe nga fillimi deri në fund. Nuk kam mundur të kërkojë më tepër. Përgëzime Oriolit (Romeu) për pasimin shumë të mirë. Po shkon mirë, jam duke tentuar të jem i përqendruar dhe të mos mendoj tepër. Me rëndësi për mua të qëndroj me këmbë në tokë dhe të vazhdoj ta ndihmoj skuadrën sa më tepër të jetë e mundur. Të vijë nga liga e Holandës në Premier League ishte hap i madh. Është dashur të mësoj shpejt se si është Premier League. Është e jashtëzakonshme, është liga më e fortë në botë, kështu që është e vështirë, por djelmoshat me përvojë më kanë ndihmuar mua dhe më kanë ndihmuar të adaptohem. Po e shijoj futbollin për momentin”, ka thënë Broja për BBC.
Trajneri i Southamptonit, Ralph Hasenhuttl, ka thënë se Broja po i ndihmon lojës së tij.
“Sot ka treguar se sa i rrezikshëm mund të jetë për kundërshtarët dhe ai ndihmon shumë lojën tonë”, ka thënë Hasenhuttl.
Për formën e Brojës, Hasenhuttl thotë se nuk është i befasuar.
“Nuk është befasi për mua. Ai është i shpejt dhe është fantastik në konkretizim të rasteve. Ka shumë armë që definitivisht po na ndihmojë. Lojtarëve të rinj u duhet kohë për t’u adaptuar në Premier League dhe e dinin se do të ishte fillim i vështirë, por ai po përmirësohet me çdo ditë”, ka thënë Hasenhuttl.