Në ditët e fundit si nga Anglia ashtu edhe nga Spanja, është trumpetuar një lloj pakënaqësie e fortë e Cristiano Ronaldos për situatën te Manchester United. Portugezi, sipas asaj që bëhet e ditur, nuk ka një raport të mirë me teknikun aktual të Djajve të Kuq Rangnick dhe i ka bërë të qartë menaxherit të tij Mendes për t’i kërkuar një ekip të ri. Por tani është koha që vetë CR7 të sqarojë gjërat dhe ai nuk është nga ata që bëjnë lojëra fjalësh: “Nuk dua të dal i gjashtë apo në tre të parët në Premier League, unë jam këtu për të provuar të fitoj. E di rrugën, por nuk do të them si duhet bërë, sepse nuk mendoj se është korrekte”.
Portugezi ka folur edhe për ndryshimet në pankinën e United: “Së pari Solskjaer, pastaj Carrick, tani një trajner i ri. Kur ndryshon kaq shumë është gjithmonë e vështirë. Me Rangnick ne jemi përmirësuar në disa aspekte, por na duhet kohë, mendoj se ai do bëj një punë të mirë”.
Pastaj optimizmi për të ardhmen, që Ronaldos nuk i mungon kurrë: “Vit i ri, jetë e re dhe shpresoj që Manchester United të arrijë nivelin që tifozët presin dhe meritojnë”.