Kryediplomati rus, Sergei Lavrov ka thënë të premten se Moska nuk do të nisë një luftë në Ukrainë, por paralajmëroi se nuk do të lejojë Perëndimin të shkelë interesat e saj të sigurisë, mes frikës se po planifikon të pushtojë fqinjin e tij.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden paralajmëroi liderin e Ukrainës një ditë më parë se ekziston një “mundësi e veçantë” që Rusia të mund të ndërmarrë veprime ushtarake kundër ish-shtetit sovjetik në shkurt.
“Nuk do të ketë luftë, për aq sa varet nga Federata Ruse ne nuk duam një luftë”, ka thënë ministri i Jashtëm Sergej Lavrov në një intervistë të drejtpërdrejtë me stacionet radio ruse.
“Por ne nuk do të lejojmë që interesat tona të shkelen në mënyrë të vrazhdë dhe të injorohen”, ka shtuar ai.
Tensionet janë rritur në javët e fundit dhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s panë me kujdes një grumbullim prej më shumë se 100,000 trupash ruse pranë Ukrainës, duke u shqetësuar se Moska po përgatitej të sulmonte. Rusia ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë ndonjë plan të tillë, por ka kërkuar që NATO-ja të premtojë se Ukraina nuk do të lejohet kurrë të anëtarësohet dhe që aleanca të heqë dislokimet e trupave dhe pajisjeve ushtarake në Evropën Lindore.
SHBA-ja dhe NATO-ja zyrtarisht i hodhën poshtë këto kërkesa këtë javë, megjithëse Washingtoni përshkroi fushat ku diskutimet janë të mundshme, duke ofruar shpresë se mund të kishte një mënyrë për të shmangur luftën.
Përgjigja zyrtare e Rusisë ndaj këtyre propozimeve do të vijë nga presidenti Vladimir Putin, por Kremlini ka thënë se kishte “pak terren për optimizëm”.
“Ndërsa ata thonë se nuk do të ndryshojnë qëndrimet e tyre, ne nuk do të ndryshojmë tonat. Unë nuk shoh ndonjë vend për kompromis këtu”, ka thënë Lavrov.