Interi do të mundohet ta mbajë vendin e parë edhe pas xhiros së 25-të në Serie A, por do të jetë e vështirë pasi udhëtimi është i tillë. I shkon skuadrës së Napolit në duelin që është direkt për vendin e parë.
Humbja në derbin e vikendit të kaluar nga Milani ishte hap i gabuar për trajnerin Simone Inzaghi që udhëheq Interin dhe tani është ngushtuar edhe diferenca e pikëve nga lideri me dy ndjekësit për titull.
Napoli – Inter luhet të shtunën në orën 18:00.
Milani është nikoqir i Sampdorias të dielën në mesditë. Milani është në formë të mirë dhe këtë e dëshmoi pas fitores 4:0 kundër Lazios në Kupën e Italisë të mërkurën.
Interi pas disfatës në derbi u kthye me fitore të madhe ndaj Romës dhe tani në gjysmëfinale të Kupës do të luajë kundër Milanit.
Shanset që Napoli ta marrë kreun e tabelës kanë marrë shtytje të madhe me rikthimin e Kalidou Koulibalyt që ishte në Kupën e Afrikës, bashkë me Andre-Frank Zambo Anguissa. Sulmuesi Victor Osimhen është kthyer më herët dhe ka shënuar tashmë. Goli kundër Venezias vikendin e fundit ishte i pari për klubin e tij që prej muajit tetor.
Lufta për vendin e parë pritet të jetë tejet interesante deri në fund të kampionatit. Vetëm një pikë e ndanë vendin e parë nga dy skuadrat tjera përcjellëse. Interi është i pari me 53 pikë në 23 ndeshje. Ka një lojë më pak të zhvilluar sesa Napoli e Milani që kanë nga 52 pikë.
Megjithatë, edhe Juventusi i drejtuar nga Massimiliano Allegri e ka gjetur formën e mirë në xhirot e fundit. Është në vendin e katërt me 45 pikë.
“Zonja e Vjetër” pritet të vazhdojë me formë të mirë e të qëndroj në vendin që dërgon në Ligën e Kampionëve vitin tjetër. Të dielën luan kundër Atalantas në udhëtim prej orës 20:45.
Juventusit pritet t’i kthehet Leonardo Bonucci, i cili mund të luajë në ndeshjen e tij të parë që prej pushimit dimëror. Ai është shëruar nga lëndimi që e pati në muskul.