Teksa ditën e premte u raportua se si Ukraina po nderonte 13 ushtarë për të cilët u tha se u vranë ndërsa mbronin ishullin Zmiinyi (Gjarpri) nga sulmet ruse, një tezë tjetër qarkullon në rrjet.
Disa informacione thonë se kjo njësi mund të jetë ende gjallë. Dyshimet kanë lindur pas një postimi në Facebook dje nga Shërbimi Shtetëror i Rojës Kufitare të Ukrainës. “SBGSU dhe forcat e armatosura, si e gjithë Ukraina, kanë marrë shpresë se të gjithë mbrojtësit e Zmiinyi janë gjallë,” u tha në postim.
Agjencia qeveritare thotë se është duke punuar për të identifikuar ushtarët bazuar në informacionin për vendndodhjen e tyre të mundshme aktuale, shkruan BBC.
“Ne sinqerisht shpresojmë që djemtë të kthehen në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur dhe informacionet e marra në momentin e sulmit për vdekjen nuk mund të konfirmohen ende”, u tha më tej në postim.