Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar ata që kundërshtojnë veprimet e Rusisë ne Ukrainë “të mos e përkeqësojnë situatën”, duke vendosur sanksione të mëtejshme mbi vendin e tij.
Presidenti rus po fliste para kabinetit qeveritar në një mbledhje të transmetuar në televizionin rus, Rossiya 24. “Nuk kemi qëllime të mbrapshta ndaj fqinjëve tanë”, tha Putin. Ai shtoi se qeveria ruse nuk sheh arsye se pse fqinjët e Rusisë mund të veprojnë për t’i përkeqësuar marrëdhëniet mes tyre. “Mendoj se të gjithë duhet të vrasim mendjen se si t’i normalizojmë marrëdhëniet e se si mund të bashkëpunojmë për të zhvilluar marrëdhënie normale”, tha Putin.
Deklarata e presidentit rus vjen teksa ministrat e jashtëm të perëndimit po mblidhen në Bruksel për të diskutuar mënyrat e mbajtjes së presionit ekonomik dhe jo vetëm, mbi Rusinë. Putin përsëriti se gjithë veprimet e deritanishme të ushtrisë ruse kanë qenë në përgjigje të veprimeve armiqësore të bëra në drejtim të Federatës Ruse.